Liverpooli e nis sonte sezonin e ri të Premierligës

Premierliga do të kthehet sonte në orën 21:00 për sezonin 2019/20, me ndeshjes hapëse mes fituesit të Ligës së Kampionëve, Liverpoolit, dhe klubit të ri në ligë, Norwich Cityt, në stadiumin “Anfield”.

Marketing

Skuadra e Jurgen Kloppit e mbylli sezonin e kaluar në pozitën e dytë në tabelën e Premierligës, vetëm me një pikë më pak sesa kampioni në fuqi, Manchester City, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, Norwich City është njëra ndër tri klubet e promovuara në Premierligë nga Championshipi, niveli i dytë i futbollit në Angli. Sonte, ata pritet ta fillojnë luftën për mbijetesë.

Qëllimet e të dy skuadrave do të jetë që ta nisin rrugëtimin në këtë edicion të Premierligës me këmbë të mbarë, mirëpo qëllimet e tyre afatgjata janë plotësisht të kundërta: Liverpooli dëshiron ta fitojë titullin e Premierligës për herë të parë në histori, përderisa Norwich Cityt i intereson vetëm mbijetesa në këtë ligë prestigjioze.

Liverpooli nuk e bëri ndonjë ndryshim të madh në skuadër gjatë këtij afati kalimtar të verës, pasi që trajneri Jurgen Klopp as nuk e ka një gjë të tillë të nevojshme. Transferimi i Virgil van Dijkut dhe Alissonit gjatë afateve të fundit e ka shndërruar këtë skuadër në njërën ndër skuadrat më elitare në botë.

Liverpooli është i pamposhtur në 12 takimet e fundit (dhjetë fitore, dy barazime), ndërsa hera e fundit kur Norwichi kishte fituar kundër Liverpoolit ishte në prill të vitit 1994, me rezultat 1:0 në “Anfield”.