Lloga për kodin zgjedhor: Nuk e presim VMRO-në deri në pafundësi

Mbi barrën e Ministrisë së Drejtësisë, bien sfida të ndryshme mbi të cilat po kalon vendi ynë. Duke filluar nga ndryshimet kushtetuese, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Strategjia për zhvillimin e sistemit gjyqësor 2023-2027, Vettingu dhe një sërë problematika dhe sfida të tjera. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, dje në një brifing para gazetarëve ka paralajmëruar qëllimet e tij gjatë mandatit të tij në këtë Ministri.

Marketing

NUK KA VEETTING PA GARANCINË E BE-SË DHE SHBA-SË

Lloga para gazetarëve tha se nuk do të pranojë të ketë një vetting të gjykatësve, prokurorëve dhe politikanëve nëse në proces nuk përfshihen përfaqësues nga BE dhe SHBA. “Maqedonia është në një situatë më të mirë për sa i përket krimit dhe korrupsionit në gjyqësor, krahasuar me Shqipërinë dhe për këtë arsye vettingu mund të zbatohet. Gjyqësori ynë po punon me 50 për qind të kapaciteteve të prokurorëve. Nga ato 50 për qind, që janë pjesë e sistemit, mbi 25 për qind janë të punësuar në 10 vjetët e fundit”, u shpreh Lloga. Ai nënvizoi se të gjithë partitë politike janë për vetting dhe për këtë arsyeje beson se do të jetë një proces më lehtë i aplikueshëm. Derisa në fund ai nuk dha garanci që vettingu do të kryhet gjatë mandatit të tij dhe shtoi se ende është shumë herët të flitet për afate kohore.

KODI ZGJEDHOR

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, u shpreh se ka kontaktuar me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe koordinatorin e grupit parlamentar të kësaj partie, Nikolla Micevski, për të propozuar ekspertët e tyre të cilët do të punojnë për ndryshime në Kodi Zgjedhor dhe miratimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. “Prej javës së parë që kam ardhur në Ministri, kam dërguar një letër deri te VMRO që ta dërgojnë përfaqësuesin e tyre në grupin punues dhe gjithashtu kam propozuar deri te ata që kryetari i grupit punues të jetë nga radhët e tyre. Por ende nuk kam marrë asnjë përgjigje. Duhet të them se nuk mund ta presim deri në pafundësi VMRO-në”, u shpreh ai. Lloga nënvizoi se Hristijan Mickoski nuk është i sinqertë në deklaratat e tij kur thotë se derisa shumica të pajtohet se sa njësi zgjedhore duhet të ketë Maqedonia, atëherë VMRO-DPMNE nuk do t’i propozojë ekspertët e saj grupit punues për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ndërkohë sa i përket qëndrimit të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Lloga tha se pa deshtë të ndikoj në punën e ekspertëve, qëndrimi i partisë së tij është që vendi ynë të jetë me tetë njësi zgjedhore – aq sa ka dhe rajone planifikuese.

TRANSFERIMI I TË BURGOSURVE PËR “LAGJEN E TRIMAVE”

Nga ana tjetër, Krenar Lloga, foli edhe për mundësinë e transferimit të të burgosurve të rastit “Lagja e Trimave” në Kosovë. Ai tha se ka kërkuar dosjen dhe e ka parë por që kërkesat kanë disa lëshime. “Kërkesat do të shqyrtohen nga ana jonë. Por duhet të themi se janë rreth 10 hapa të cilat duhet të ndiqen deri në transferimin e të njëjtëve, por keni parasysh që për këtë proces nevojitet edhe vullneti i autoriteteve kosovare”, tha Lloga. Ai nuk kishte një qëndrim të prerë për çështjen e ekstradimit të tyre dhe kërkoj kohë deri në konsultimin me të gjithë palët.

Marketing