LSDM-ja zhvillon negociata serioze për të formuar qeveri me mandat të plotë katër vjeçar, e mbështetur nga shumica e qëndrueshme në Parlament, ku një nga prioritetet kryesore do të jetë lufta kundër krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet, kumtojnë nga partia.
“Detyra e qeverisë së re është të sigurojë rendin dhe disiplinën në të gjitha institucionet dhe të pastrojë krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, pavarësisht nëse dikush vjen nga një parti, komunë, institucion, qoftë ai ekspert, zyrtar, i njohur apo i panjohur. Sistemi për të kontrolluar origjinën e parave dhe kapitalit të secilit zyrtar do të dakordohet bashkërisht. Sanksionet do të vendosen për udhëheqësit te të cilëve është konfirmuar punë e pandershme”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Sipas partisë, ata që drejtojnë institucione në emër të qytetarëve, duhet të jenë të përgjegjshëm, transparentë dhe të sinqertë dhe për këtë arsye, thonë ata, ne vendosim detyrim ligjor për shpalljen publike të të gjitha shpenzimeve zyrtare të të gjithë zyrtarëve në pushtetin ekzekutiv, lokal dhe gjyqësor.
“Korrupsioni është armiku i qytetarëve dhe institucioneve dhe kjo është arsyeja pse qytetarët në zgjedhjet e 15 korrikut na dhanë mandat për të luftuar krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet. Në mandatin e ardhshëm, katërvjeçar, do të tregojmë se mund të punojmë edhe më shumë dhe madje edhe më mirë në interes të qytetarëve”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.
Nga atje, dje kumtuan se po fillojnë bisedime serioze me kryetarët e partive politike, me grupet e punës, anëtarët e kryesive të partive, për mandat të ri katër vjeçar të një shumice të qëndrueshme në Parlament dhe formimin e Qeverisë.