Macron do t’i dërgojë tri mesazhe në Serbi, njëri ka të bëjë me Kosovën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se vizita e presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd do të shënojë një përparim të madh në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Vizita e Macron në Beograd në muajin e ardhshëm do të jetë e para e një presidenti francez pas 18 vjetësh.

Marketing

Në takimin me kreun e shtetit serb të mërkurën, ambasadori francez Frederic Mondoloni tha se Macron do të sjellë “tri mesazhe” në Beograd: përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike, mbështetje për reformat në Serbi dhe mbështetje për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë nëpërmjet dialogut.

Vuçiç dhe Mondoloni kanë diskutuar gjithashtu situatën në rajon dhe pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, sipas një njoftimi për shtyp nga Presidenca serbe, raportojnë mediat në Beograd, transmeton Klan Kosova.

Presidenti serb ka ripërsëritur se Beogradi do të jetë gati për dialogun me Prishtinën vetëm pasi Kosova të shfuqizojë taksën siç e ka quajtur ai “anti-civilizuese dhe të paligjshme” mbi produktet serbe.

“Lëvizjet e njëanshme të Prishtinës të cilat rrezikojnë përshkallëzimin dhe rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon janë të papranueshme”, tha ai.

Sipas njoftimit për shtyp, Mondoloni ka vlerësuar qasjen e Serbisë në krizën aktuale me Prishtinën, duke thënë se Franca e vlerëson “reagimin paqësor të palës serbe”.