Ka përfunduar derbi i Premier Ligës angleze mes skuadrës së Arsenalit dhe Manchester Cityt, ku tre pikët e para të vitit 2022 i ka arkëtuar kampioni aktual anglez.
Manchester City ka vazhduar me fitore edhe në xhiron e 21 të Premier Ligës, ku e ka mposhtur me rezultat të ngushtë 2:1 skuadrën e Arsenalit.
Fillimisht, ishte skuadra vendase ajo e cila kaloi në epërsi e para, ku sulmuesi anësorë i Arsenalit Bukayo Saka zhbllokon rezultatin në 1:0 në minutën e 31’.
Manchester City arriti të këndellet në pjesën e dytë të ndeshjes, ku edhe e gjeti golin e barazimit përmes sulmuesit anësore Riyad Mahrez, i cili shënon në minutën e 57’ për 1:1.
Kur shihej se ndeshja ishte drejt përfundimit, mesfushori i Manchester Cityt Rodri arriti që të shënoj golin e fitores për skuadrën e tij, kështu duke shënuar për 2:1 në minutën e 90’+3 shtesë.
Me pikët e reja, Manchester City vazhdon të qëndrojë në vendin e parë me gjithsej 53 pikë, 11 sosh më shumë se vendi i dytë Chelsea, dhe 12 sosh më shumë se Liverpooli që zë vendin e tretë.
Në anën tjetër, skuadra e Arsenalit renditet në pozitën e katërt në tabelë me gjithsej 35 pikë të arkëtuara.
Rezultati final i ndeshjes është 2:1 në favor të Manchester Cityt.