Maqedoni-NATO, bisedimet të enjten

NATO do të nisë formalisht bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë më 18 tetor.

Marketing

Ky veprim vjen edhe pse referendumi i 30 shtatorit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë – kusht i vënë nga Greqia për të mos e bllokuar rrugën e Shkupit drejt aleancës – nuk e ka kaluar pragun prej 50% për të qenë i vlefshëm.

Megjithatë, mbi 90% e atyre që kanë dalë në referendum, kanë votuar për ndryshimin e emrit në Maqedoni e Veriut.

Këtë marrëveshje, Maqedonia dhe Greqia e kanë arritur në qershor, në përpjekje për t’i dhënë fund kontestit 27-vjeçar.

Qysh në vitin 1991, kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë, Greqia i ka shkaktuar bllokada diplomatike, duke thënë se me këtë emër, fqinji i saj mund të ketë pretendime territoriale ndaj një territori grek që po ashtu quhet Maqedoni.

NATO, megjithatë, e bëri të qartë se marrëveshja për emrin duhet të ratifikohet edhe nga Athina, edhe nga Shkupi, në mënyrë që Maqedonia të bëhet anëtari i 30-të i aleancës.

Bisedimet e pranimit zakonisht zgjasin rreth tre muaj përpara se të nënshkruhet një protokoll i pranimit.

Protokolli pastaj duhet të ratifikohet nga të gjithë anëtarët e tjerë të NATO-s , proces ky që zgjat rreth një vit.

Marketing