Në vitin 2019, Kosova është vlerësuar se ka “nivel të kufizuar të përgatitjes për anëtarësim në BE”, me numrin total të pikëve prej 1.8 nga gjithsej 5 pikë të mundshme. Rrjedhimisht, Kosova vitin e kaluar ishte në vendin e parafundit, duke lënë mbrapa vetëm Bosnjën me 1.6 pikë. Serbia e para, Mali i Zi i dyti dhe Maqedonia e Veriut e treta janë “frontrunners” – me gjithsej 3 pikë. Shqipëria me 2.4 pikë gjendet në mesin e dy grupeve me 2.4 pikë.
Rrjedhimisht, ky rezultat e vendos Shqipërinë në kategorinë e njëjtë me vendet e fundit në Ballkan – Kosovën dhe Bosnjën. Kështu thotë Raporti i fundit për Ballkanin i Institutit EPIK i Komisionit Evropian, ndërsa ka dy qëllime: të vlerësoj gatishmërinë e vendeve për t’u anëtarësuar në BE dhe të vlerësoj progresin e bërë brenda vitit të kaluar. Sa i përket sundimit të ligjit, Raporti i përfunduar në maj të këtij viti, e që parasheh të njëjtën situatë deri në fundvit, tregon se Kosova me gjyqësorin dhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, renditet e fundit në Ballkan sa i përket gatishmërisë për tu anëtarësuar në BE.
“Si çdo vit, pas publikimit të raportit, shumica qeverisëse ka zgjedhur disa fjali pozitive për të thënë se raporti ka vlerësuar pozitivisht qeverisjen në Kosovë, ndërsa opozita dhe ata që mendonin ndryshe kanë bërë të kundërtën – i kanë nënvizuar vlerësimet negative që raporti ka bërë për vendin. Në këtë formë, shoqëria e Kosovës humbi mundësinë që ti qaset diskutimit empirik dhe kokëftoftë rreth një qëllimi i cili na bashkon të gjithëve – rrugëtimi drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në komunikatën e EPIK.
Po ashtu, nga aspekti ekonomik Kosova është vend i fundit në Ballkan në kapitullin 8: politikat e konkurrencës dhe kapitullin 19: politikat sociale dhe punësimi. Kosova e ndan vendin e fundit në Ballkan me Bosnjën në fushat e mjedisit dhe arsimit. Nga viti 2016, Kosova ka bërë relativisht progres më të madh se sa vende të tjera të Ballkanit drejt marrjes së obligimeve që burojnë nga anëtarësimi në BE. Sidoqoftë, ky progres ishte vetëm 0.2 pikë në shkallë prej 5 pikëve. Ky progres i kufizuar u shënua fal progresit të kufizuar në kapitullin 1: lëvizja e lirë e mallrave, kapitullin 6: e drejta e ndërmarrjeve, kapitullin 15: energjia, kapitullin 16: tatimi dhe kapitullin 32 kontrolli financiar. Ky progres nuk duhet kuptuar si punë e shkëlqyeshme e institucioneve të Kosovës, por punë e dobët e vendeve të tjera në Ballkan, të cilat efektivisht kanë pezulluar agjendën reformuese.