Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë gjatë vizitës zyrtare në Berlin zhvilloi edhe një takim dypalësh me Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas.
“Diskutuam hollësisht për domosdoshmërinë e fuqizimit të procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e patjetërsueshme të çeljes së negociatave për anëtarësim për Shqipërinë vitin e ardhshëm”.
Ai ka thënë se Shqipëria gëzon mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e negociatave vitin që vjen.
“Po ashtu, ndamë qëndrime të njëjta lidhur me vazhdimin e reformave transformuese të Shqipërisë dhe plotësimin e kushteve të paraqitura nga Bundestagu në funksion të rrugëtimit evropian”.
” Në fund, shprehëm mirënjohjet më të veçanta për mbështetjen e jashtëzakonshme të Gjermanisë për përballimin e pasojave të tërmetit që nga fillimi! Po ashtu, Maas konfirmoi gatishmërinë e tij të mëtejme për ta ndihmuar Shqipërinë në planin e riparimit dhe rindërtimit”.
“Gjithmonë falënderues për mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin institucional e demokratik dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë në përgjithësi”, shkruan ai në Facebook.