Maturantët e shkollave të mesme do të bojkotojnë nisjen e gjysmë vjetorit të dytë të shkollës. Këtë vendim e mori Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme pas konsultimeve me përfaqësuesit e nxënësve në të gjithë vendin. Sipas UNSHM-së, vendimi për të bojkotuar orët mësimore ka ardhur pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe Qendra Shtetërore e Provimeve nuk kanë qenë të gatshme të bashkëpunojnë lidhur me modifikimin e materialit mësimor për testin e maturës shtetërore. UNSHM-ja kërkon që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të zvogëlojë numrin e lëndëve në maturën shtetërore. Nga katër lëndë të provimit të maturës, maturantët propozojmë nxënësit të kenë vetëm dy lëndë për provim të maturës. Lënda e parë e obligueshme të jetë Gjuhë amtare, Lënda e dytë zgjedhore preferohet të jetë një lëndë e cila lidhet me studimet e mëtejshme në Universitet si dhe Projekt detyrë e Maturës. Gjithashtu, UNSHM-ja kërkon që materiali dhe programi shkollor i modifikuar për maturën shtetërore që është mësuar gjatë krizës përmes mësimit nga distanca të prezantohet deri në muajin mars. Nga UNSHM-ja kujtojnë se kërkesat e mësipërme I janë propozuar dikasterit të Arsimit që më 9 dhjetor të vitit të kaluar 2020.
Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme
1. Zvogëlimin e lëndëve në maturën shtetërore, nga katër në dy lëndë
2. Deri në muajin Mars të publikohet plani se si do të duken pyetjet dhe materiali I modifikuar për testin e maturës shtetërore.
Nga Ministria e Arsimit thonë se Qendra Shtetërore e Provimeve tashmë ka përfunduar procedurat për përbërjen e Komisioneve Shtetërore të Maturës dhe ato krijojnë pyetje në të gjitha lëndët, në përputhje me programet mësimore të shkurtuara dhe kushtet në të kaluarën. Sipas, MASH-it, provimi i maturës shtetërore është i detyrueshëm për t’u regjistruar në të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Përveç maturës shtetërore, Koncepti për dhënien e provimeve të maturës parashikon mundësinë e marrjes së maturës shkollore për nxënësit që nuk do të vazhdojnë arsimin në fakultete.