Mbahet Kuvendi themelues / Ja kush zgjidhet kryetare e Forumit të Gruas së LD në Çair

Sonte, në një atmosferë plotë entuziazëm dhe përkushtim, u mbajt Kuvendi themelues i Forumit të Gruas së Lëvizjes Demokratike – dega Çair.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të gruas në jetën politike dhe shoqërore, në përputhje me vizionin tonë për një shoqëri më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.

Në kuadër të këtij Kuvendi, me pjesëmarrje të anëtareve dhe mbështetëseve të Lëvizjes Demokratike, u zgjodh kryetarja e parë e Forumit të Gruas në Çair – znj. Teuta Idrizi, një aktiviste e palodhur dhe zë i fuqishëm i grave në komunën tonë.

I pranishëm gjatë punimeve të Kuvendit, lideri i LD Izet Mexhiti theksoi se të qenurit grua në politikë nuk është më një sfidë individuale – është një thirrje kolektive për barazi, për drejtësi, për përfaqësim të vërtetë.

Sot nuk jemi mbledhur thjesht për të folur për gruan në politikë – jemi mbledhur për ta afirmuar vendin e saj aty. Jo si përjashtim, jo si simbol, por si forcë ndryshimi, si zë i guximshëm, si ndërgjegje që nuk trembet. Historia jonë është e mbushur me emra grash që guxuan para kohe, që ngritën zërin kur të tjerët heshtën, që luftuan jo vetëm për veten, por për gjeneratat që vinin pas. Mbretëresha Teutë, Shote Galica, Musine Kokalari janë vetëm disa figura të jashtëzakonshme të historisë sonë. Sot, secila prej jush është një kapitull i ri në atë histori – një dëshmi se forca politike nuk matet me zë të lartë, por me qëndresë, me parime, me përkushtim. Sepse askush nuk mund ta kuptojë më mirë nevojën për paqe, për dinjitet, për mirëqenie – sesa gruaja që e ka bartur shoqërinë mbi shpatulla, edhe kur s’e ka pasur pushtetin në dorë, shtoi mes tjerash lideri i LD, Izet Mexhiti.

Ndërkohë që kryetarja e sapozgjedhur Teuta Idrizi tha se sot është një ditë e veçantë për të gjitha gratë e përfshira në këtë rrugëtim të përbashkët. Marrja e detyrës si Kryetare e Forumit të Gruas për degën e Çairit është një përgjegjësi që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë, nënvizoi Idrizi.

Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për kryetarin e partisë sonë, z. Izet Mexhiti, për mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj grave në politikë dhe për vizionin e tij të qartë për një shoqëri ku secili ka vendin dhe vlerën e vet. Mbështetja e tij nuk është vetëm simbolike, por e prekshme dhe e fuqishme në rrugën tonë për përfaqësim dhe progres. Gjithashtu, falënderoj të gjitha gratë dhe aktivistet që janë pjesë e kësaj lëvizjeje. Së bashku, do të punojmë për të rritur pjesëmarrjen e grave, për të mbrojtur të drejtat tona dhe për të ndikuar në vendimmarrje.Kur mendoj për rrugëtimin tonë të përbashkët, ndiej një krenari të madhe. Ky forum është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta, i punës së palodhshme dhe i dëshirës sonë për të ndërtuar një komunitet më të fuqishëm dhe më të bashkuar. Kemi kaluar së bashku sfida dhe suksese, por mbi të gjitha kemi ndërtuar një lidhje të fortë dhe të sinqertë me njëra-tjetrën. Jam e bindur se me përkushtim, guxim dhe vizion, do të arrijmë të sjellim ndryshimet e duhura. Bashkë, do të fuqizojmë rolin e gruas dhe do të dëshmojmë se vendi ynë është aty ku meritojmë: në krye të proceseve vendimmarrëse, shtoi më tej Idrizi.

Lëvizja Demokratike e uron znj. Idrizi për detyrën e re dhe shpreh bindjen se ajo, bashkë me anëtaret e Forumit, do të jenë faktor i rëndësishëm në fuqizimin e zërit të gruas dhe në avancimin e qëllimeve tona të përbashkëta.

Ky është vetëm fillimi, bashkë po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.

Marketing