Mbrohet doktoratura e parë në Universitetin e Tetovës

Në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës, më 4 shtator 2020 u bë mbrojtja e parë e një disertacioni të doktoraturës. Doktorantja Vjollca Hasani-Limani, si njëra nga studentët e gjeneratës së parë të shkollës së doktoraturës në Universitetin e Tetovës, e mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës, me titull:

Marketing

“Roli i mikrofinancimit dhe zhvillimit të NMVM-ve në uljen e varfërisë në Maqedoni” dhe mori titullin Doktor i shkencave.
Mbrojtja e këtij disertacioni u realizua para komisionit, në përbërje: Prof.Dr. Etem Iseni – kryetar, Prof.Dr. Alifeta Selimi – anëtar, Prof.Dr. Raman Ismaili – anëtar, Prof.Dr. Brikend Aziri – anëtar, Prof.Dr. Merale Fetai – anëtare, ndërsa gjatë studimeve të ciklit të tretë, kandidatja ishte nën udhëheqje shkencore të mentorit Prof. Dr. Seadin Xhaferi.

Komisioni në fjalë e vlerësoi lartë punën hulumtuese shkencore të kandidates, duke potencuar se studimi në fjalë është një kontribut i çmuar për shkencat e ekonomisë.

Doktorantja Vjollca Hasani-Limani është lindur më 4.08.1988 në Tetovë. Arsimin fillor e ka kryer në shkollën “Eqrem Ҫabej” në Sllatinë, ndërsa arsimin e mesëm në SHMSH Ekonomike “8 Shtatori” në Tetovë. Në vitin 2010 i mbaroi studimet e ciklit të parë në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tetovës, në drejtimin për Financa dhe Kontabilitet.

Pas përfundimit të studimeve të ciklit të parë, në tetor të vitit 2013, e mbrojti me sukses tezën e magjistraturës, me titull: “Mikrofinancimi, financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme – Rasti i Maqedonisë” në Fakultetin e Ekonomisë dhe Biznesit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në drejtimin Financa dhe morri titullin Magjistër i financave. Në vitin 2015, kandidatja u regjistrua në studimet e doktoraturës në Fakultetin e Ekonomik në Universitetin e Tetovës, në drejtimin Financa.

Në shtator të vitit 2014 ka filluar punën në Departamentin e financave, në pozitën e prokurimeve publike në Universitetin e Tetovës. Njëkohësisht është angazhuar si asistente me kohë të pjesshme në Fakultetin Ekonomik. Gjatë asaj periudhe ka punuar në themelimin e Qendrës për ndërlidhje me bizneset, ndërsa në shkurt të vitit 2015 është emëruar udhëheqëse e Qendrës për ndërlidhje me bizneset në Universitetin e Tetovës.
Në maj të vitit 2018 është përzgjedhur asistente-doktorante në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës. Gjatë periudhës 2014-2020, kandidatja Vjollca Hasani – Limani ka mbajtur mësim (ushtrime) në këto lëndë: Mikroekonomia I; Kontrolli; Revizioni: Analiza e raporteve financiare; Hyrje në kontabilitet; Kontabiliteti në turizëm; Financat e korporatave; Financa ndërkombëtare;

Menaxhimi Financiar; Bankat dhe punët bankare, si dhe Tregjet dhe institucionet financiare. Krahas angazhimit në procesin mësimor, kandidatja është angazhuar në hulumtime shkencore në lëmin e shkencave ekonomike. Veprimtaria kërkimore-shkencore e kandidates pasqyrohet nga artikujt shkencorë të botuar në revista shkencore ndërkombëtare, me pjesëmarrje në konferenca dhe tubime shkencore ndërkombëtare, si dhe në projekte ndërkombëtare.

Ndërsa më 4 shtator 2020, Vjollca Hasani – Limani shënoi edhe një arritje në karrierën e saj profesionale dhe akademike duke e fituar titullin Doktore e shkencave në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës.