Ballina Lajme Maqedoni Me fillimin e vitit shkollor nis përdorimi i plotë i ditarit elektronik

Me fillimin e vitit shkollor nis përdorimi i plotë i ditarit elektronik

Autoritetet përgjegjëse të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASh) janë pyetur se kur do të bëhen ndryshimet në ditarin elektronik, me anë të të cilit mësimdhënësit duhet të mbajnë evidencë pedagogjike gjatë tërë vitit shkollor. Nga MASh janë përgjigjur se kjo do të ndodh në fillim të vitit shkollor.

Marketing

“Me zgjidhjet e reja softuerike presim të tejkalohen të gjitha problemet e mëparshme. Gjatë këtij muaji janë planifikuar trajnime për 40 administratorë nga shkollat ku sistemi i ri EMIS/ESARU dhe ditari elektronik i modifikuar do të vihen në përdorim në fillim të vitit shkollor” thanë zyrtarë nga MASh për agjencinë Meta.

Administratorët, pasi të mësojnë si të përdorin sistemin e ri, do të duhet t’i përcjellin njohuritë e tyre te mësimdhënësit tjerë të shkollave. Në ndërkohë do të përdoret ditari i vjetër elektronik, tek i cili janë të gjitha të dhënat për nxënësit.

Ditari elektronik u bë pjesë e sistemit arsimor në vitin 2013. Atëherë në sistem kishte afër 27 000 profile të mësimdhënësve si dhe afër 164 000 profile aktive të prindërve.

Mirëpo edhe këtë vit mësimdhënësit humbën durimin gjatë regjistrimit të të dhënave në ditarin elektronik, pasiqë vazhdimisht kishin probleme me ruajtjen e tyre në sistem. Mësimdhënësit me të cilët ka kontaktuar Meta.mk thanë se në ekran u është shfaqur mesazhi “Error 503 Service Unavailable”, ose kur kanë vendosur më shumë nota, në sistem është regjistruar vetëm një.

Ditarët fizik para disa viteve u hoqën nga përdorimi, kështuqë ditari elektronik është vendi i vetëm ku mbahet evidencë për notat, mungesat e nxënësve, përgatitjet ditore dhe raportet për ekskurzionet e realizuara.

Mësimdhënësit me vite është dashur të mbajnë evidencë të dyfishtë, gjithçka që kanë shkruar në ditarin fizik është dashur ta bartin në ditarin elektronik. Ky ka qenë detyrimi i tyre ligjor. Ka ndodhur që sistemi fare të mos funksionojë sepse ka patur probleme me zgjedhjen e ndërmarrjes që do ta mirëmbajë sistemin.

Marketing
Exit mobile version