Më lehtë ndërrohet Kushtetuta sesa tekstet shkollore

Shqiptarët kanë qenë maqedonas, por në kohën e pushtetit osman, janë bërë shqiptarë. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit…”. Kjo “histori” dhe shumë të tilla që fyejnë dhe tallin shqiptarët e Maqedonisë vazhdon të jetë pjesë e teksteve shkollore në vend, shkruan gazeta KOHA. Nxënësit e shkollave të mesme, por edhe ato në fillore, me vite të tëra mësojnë sesi paraardhësit e tyre, “të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova, kanë rrëmbyer, keqtrajtuar dhe masakruar maqedonasit autoktonë të Maqedonisë”, gjithmonë të ndihmuar nga “qeveria turke e asaj kohe”.

Marketing

Jo vetëm “Gjeografia” për vitin e II në gjimnaze, por edhe libra të tjerë nga lënda e Historisë, Muzikës dhe Edukata Qytetare tallin shqiptarët. Moratoriumi për të heshtur ndaj skandaleve daton që nga viti 2009, atëherë kur edhe u publikuan skandalet me librat, ndërsa situata vijon e njëjtë edhe sot e kësaj dite, kur janë ndërruar tashmë tre ministra shqiptarë. Së fundmi, Maqedonia arriti të ndryshojë dhe Kushtetutën, por duket se librat fyese assesi të ndryshohen.

KUR SHQIPËRIA E OKUPOI MAQEDONINË!

Në faqen 99 te libri i Gjeografisë shkruan se “Shqiptarët kanë qenë maqedonas por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit”. “Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780”, shkruan në faqen 104 të librit Gjeografia për vitin e II në gjimnaze. Në faqen 104, në poemën “Serdarot” të Gligor Përliçevit thuhet se “shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i keqtrajtuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Për këtë, shqiptarët u ndihmuan nga qeveria turke”. Madje, nga libër nxënësit mësojnë se Shqipëria e okupoi Maqedoninë Perëndimore. Ky libër ashtu sikurse edhe libri i Historisë, popull autokton e paraqet vetëm popullin maqedonas, ndërsa gjithë të tjerët – ardhacak të dhunshëm që erdhën në Maqedoni pas viteve 1700.

Në Ministrinë e Arsimit thonë se pyetjet e drejtuara nga gazeta KOHA do të marrin përgjigje të hënën, ndërsa po dje, ministri ka folur vetëm për mënyrën e furnizimit me libra nëpër shkolla. “Deri në fund të muajt maj në përputhje me dispozitat ligjore të gjitha shkollat do të duhet të dërgojnë te shërbimi pedagogjik numrin e nevojshëm të teksteve shkollore për vitin e ardhshëm shkollor. Pastaj vijojnë procedurat brenda për brenda shërbimit të Ministrisë së arsimit, dhe më lejoni të them se nuk kemi kurrfarë problemi kur bëhet fjalë për tekstet shkollore, të cilat i blejmë për nxënësit si ministri e arsimit nga shtëpitë botuese për shkak se procedura është më e thjeshtë dhe më lehtë arrijmë që të sigurojmë në fillim të vitit shkollor tekstet shkollore”, është shprehur Ademi.

BULLGARËT, NGA OKUPATORË SHNDËRROHEN NË MIQ

Nga ana tjetër, anëtarët e Komisionit ndërshtetëror Maqedoni-Bullgari për histori dhe çështje arsimore janë marrë vesh për pikat e përbashkëta të historisë maqedono-bullgare si dhe për revidimin e librave shkollor në të dyja shtetet, e që konsiderohen fyese për njëra-tjetrën. Kështu, siç ka informuar ditë më parë kryetari i Komisionit të palës maqedonase, Dragi Gjorgjiev, njëherësh drejtor i Institutit nacional të historisë në Shkup, me Komisionin bullgar janë marrë vesh për vërejtjet që Bullgaria ka kundrejt Maqedonisë ndërsa do të revidohen pjesët që konsiderohen fyese. Në librat e rinj, që siç ka thënë Gjorgjiev, nuk do të shkruajë se “Bullgaria fashiste okupoi Maqedoninë”, ndërsa figurat historike si mbreti Samoil, Shën Naumi dhe Shën Klimenti do të shënojnë si personalitete kombëtare të të dyja popujve. Veç kësaj, Komisioni ka pranuar vërejtje edhe për historinë e vonshme të Maqedonisë, ndërsa shumë festa kombëtare të Maqedonisë do të shënohen bashkë me Bullgarinë.

“Qëllimi nuk është të ndryshohet thelbi i historisë, por tekstet shkollore dhe ato pjesë që përmbajnë shprehje fyese kundrejt Bullgarisë. Unë pajtohem të hiqet pjesa ku bullgarët, në disa libra, trajtohen si ‘tataro-mongol i fisit turk’ dhe se si ‘fis nomad, janë marrë me rritjen e kuajve, luanëve dhe kanë bërë kërdi nëpër vendbanime’. Kjo, për mua si historianë, është e papranueshme të shkruhen në libra shkollor”, tha Gjorgjiev, ndërsa ka informuar se janë shqyrtuar vërejtjet në 30 faqe të palës bullgare dhe pjesa më e madhe e tyre, është e pranueshme për historinë e Maqedonisë, raporton KOHA.

Megjithatë, ky revidim i librave shkollorë nga ky Komision nuk ka paraparë heqjen e fyerjeve ndaj shqiptarëve, pasi bëhet fjalë për Komision të përbashkët të dal nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë Maqedoni-Bullgari. Komisione apo grupe ekspertësh në kuadër të MASH-it ka vite që ngriten, por që asnjëri prej tyre nuk ka arritur të shlyejë ofendimet ndaj shqiptarëve. Komision fillimisht kishte ngritur ish-ministri, tanimë i ndjeri Abdylaqim Ademi, për të vazhduar Pishtar Lutfiu e deri te premtimet e ministrit aktual Arbër Ademi. Megjithatë, librat më përmbajtje skandaloze vazhdojnë të jenë në duart e nxënësve.

KOMISIONI PA ANËTARË TË MASH-it

Komisioni ndërshtetëror Maqedoni-Bullgari për histori dhe çështje arsimore përveç që nuk do të bëjë revidimin e librave që kanë të bëjnë me qasjen ndaj shqiptarëve, ky Komision ka anashkaluar edhe vet Ministrinë e Arsimit, përgjegjëse për përpilimin e librave shkollor. Librat shkollor që do të korrigjohen në pjesët me historinë e Bullgarisë, do të bëhen pa e pyetur MASH-in, konkretisht kjo e fundit do të duhet të miratojë dhe përpilojë librat ashtu siç do të kërkojë ky Komision. Madje, as përfaqësues të MASH-it nuk ka në Komisionin tetë anëtarësh. Akademik Dragi Gjorgjiev nga Instituti i historisë nacionale, profesorët Vanço Gjorgjiev, Petar Todorov dhe Darko Stojanov; historiani Aleksandar Litovski; profesoresha e Universitetit në Ekster, Lubica Spasovska; si dhe antropologu i Universitetit të Shkupit, Lupço Risteski janë tetë anëtarët e Komisionit për histori dhe çështje arsimore Maqedoni-Bullgari. (koha.mk)