Vetëm 29% e pronave shiten me çmimin që nxirren fillimisht në treg.
Të dhënat e vrojtimit periodik të pasurive të paluajtshme nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, pavarësisht rritjes së vazhdueshme në vitet e fundit, çmimet e shitjes janë në masën më të madhe të negociueshme.
Shkalla e uljes që pranohet më shpesh nga shitësit e pronave është midis 5% dhe 20% të çmimit fillestar. Në 39% të rasteve, pronat shiten me një ulje në këtë interval kundrejt çmimit të parë të kërkuar. Uljet në përmasa më të mëdha se 20% janë më të pakta.
Në 9% të rasteve diferenca mes çmimit të shitjes dhe atij të kërkuar fillimisht është midis 20% dhe 30% më e ulët, ndërsa vetëm në 7% të rasteve ulja e çmimit është më shumë se 30%. Në 17% të rasteve, shitësit pranojnë një ulje minimale me më pak se 5% nga çmimi i parë i kërkuar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i çmimeve të banesave gjatë 6-mujorit të dytë 2020 u rrit me 6.2% krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 11.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për Tiranën, çmimet u rritën me 2.3% me bazë gjashtëmujore dhe 8.9% me bazë vjetore.
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë kryhet me një kampion prej 230 firmash ndërtimi dhe agjentësh të tregtimit të pasurive të paluajtshme. 39% e agjentëve të anketuar raportuan shitje në gjashtëmujorin II 2020, nga 44% në gjashtëmujorin e parë.
Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohet të jetë mesatarisht rreth 10 muaj e gjysmë, duke mbetur pothuajse e pandryshuar ndaj gjashtëmujorit të kaluar. Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 9.8 muajsh, dhe kjo vlerë ishte pak më e vogël nga ajo e raportuar në gjashtëmujorin e kaluar. Për zonën e Bregdetit dhe për zonat e tjera, koha e shitjes ka mbetur e pandryshuar në përkatësisht 10.6 muaj dhe 11.4 muaj.
Agjentët raportojnë se rreth 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Kjo përqindje është në nivel të ngjashëm me vrojtimet e mëparshme. Të pyetur mbi rezidencën e blerësve, agjentët raportojnë se rreth 36% e banesave dhe pronave tregtare u janë shitur shtetasve jorezidentë në Shqipëri, dhe ky raport është i ngjashëm me atë të periudhës së kaluar. Gjysma e këtyre blerësve raportohen si rezidentë në Bashkimin Europian dhe pjesa tjetër janë jashtë tij. Kërkesa e konsiderueshme nga jorezidentët mund të jetë një arsye që shpjegon pjesërisht rritjen e vazhdueshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri./Monitor