Slice Life, ndërmarrja e re amerikane e përuroi zyrën e tretë me radhë në Maqedoni. Meqë në Maqedoni ndodhet boshti operativ prej ku kryhen veprimtaritë plotësuese në Shtetet e Bashkuara dhe Irlandë, hapja e zyrës së pestë me radhë, krahas atyre në Nju Jork, Dibër, Ohër dhe Belfast, për kompaninë nënkupton zgjerim i cili do të lejojë rritjen e mëtejshme. Me zgjerimin e fundit, numri i të punësuarve në Slice nga mbarë vendi arrin në 400, ndërsa sipas parashikimeve të kompanisë, deri në fund të vitit 2019 do të jetë 600 për të arritur në 1000 të punësuar deri në vitin 2020.
“Zyra në Shkup shënon një mundësi të re për zgjerimin e Slice, dhe u krijua me qëllim që të përmbushë kërkesën në rritje dhe pritshmëritë që rrjedhin nga tregu global. Shërbimi ynë mundëson rritjen dhe zhvillimin e mijëra bizneseve të vogla vendore, duke i ndihmuar t’i përmbushin kërkesat e klientëve të tyre, dhe t’i bëjnë ballë tregut që dominohet në mënyrë të pabarabartë nga zinxhirët e mëdhenj të picave. Si rrjedhojë, sot ne jemi partnerë të 11.000 restoranteve të picave që u shërbejnë miliona adhuruesve të picave çdo vit, në një treg që vlen 144 miliardë dollarë në nivel global dhe 46 miliardë dollarë vetëm në SHBA. Me ekipin jashtëzakonisht të talentuar të Maqedonisë, jemi të gatshëm të përballemi me sfidat e reja, ndërsa me synimin për vijim të punësimeve, vizioni ynë është që shumë shpejt të bëhemi njëri nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend”, deklaroi Ilir Sela, themelues dhe pronar i Slice.
Më meritor për suksesin e korrur nga Slice është modeli inovativ i biznesit, në sajë të së cilit kompania ndërtoi një platformë digjitale që e bën të mundshme bërjen e porosive përmes internetit edhe atë nga piceritë e vogla, lokale. Ky shërbim doli të jetë tejet i dobishëm për të dy palët, për blerësit për arsye të përpikërisë së porosive pa hapësirë për gabime, ndërsa për piceritë sepse i lejoi të depërtojnë në mjedisin digjital, i vendosi krah për krah me zinxhirët e mëdhenj të picave dhe u mundësoi rritje katërfish deri gjashtëfish më të madhe të biznesit. Gjithashtu, kompania ofron shërbime të plota për mirëmbajtjen e pranisë në internet të të gjithë partnerëve, duke u mundësuar përdoruesve kërkim dhe qasje me të shpejtë dhe efektive të menyve të tyre, hulumtim të tregut, hyrje në partneritete të reja, përsosjen e faqeve të partnerëve ekzistues, si dhe integrimin me GoogleMyBusiness.
Njëkohësisht me zyrën në Nju Jork, Slice e hapi edhe zyrën në Dibër, më pas në Ohër, dhe në Belfast. E gjithë veprimtaria dhe shërbimi që e ofron kompania i besohen kuadrit të talentuar nga Maqedonia, i cili është i aftë të kënaq nevojat e investitorit dhe përbëhet nga të rinj të fushave të ndryshme.
Meqenëse Slice mbështetet tërësisht në stafin maqedonas të profileve të ndryshme, dhe me qëllim që t’i nxitë të rinjtë të kryejnë arsim të lartë, kompania nënshkroi Memorandum bashkëpunimi me tre universitete të Maqedonisë – me Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike pranë universitetit Shën. Kirili dhe Metodi në Shkup, me Universitetin e Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore, të cilët ofrojnë lloje të ndryshme të bashkëpunimit, në fusha të ndryshme. Ky bashkëpunim, përveçse përbën një ndihmesë të rëndësishme në mbarëvajtjen e programit arsimor-shkencor, do të mundësojë edhe formimin e kuadrove që i nevojiten kompanisë për zhvillimin dhe zgjerimin e saj të mëtutjeshëm.