Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim të paparalajmëruar.
Përmes një postimi në Facebook, Meta tha se kanë shprehur gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për të kaluar pasojat social-ekonomike të pandemisë.
“Shprehëm gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, me qëllim tejkalimin me sukses të pasojave social-ekonomike të pandemisë COVID-19, kthimin në normalitet të jetës së qytetarëve, dhe stabilizimin e plotë të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, veçanërisht me afrimin e sezonit veror turistik”, shkroi Meta.
Po ashtu, kreu i shtetit shqiptar përmendi edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut.
“Është me rëndësi vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke por edhe të ardhmen e tyre në BE. Bashkëjetesa midis shqiptarëve e serbëve është në interes të paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit tonë”, përfundoi Meta.