Kur të na përjashtojnë nga partia, atëherë do të vendosim nëse do të shkojmë në shtëpi apo do të luftojmë deri në fund, politikisht, deklaroi nënkryetari i BDI-së dhe lideri i “grupit të zjarrit”, Izet Mexhiti.
I pyetur nëse është e mundur formimi i partisë së re, Mexhiti, i ftuar në emisionin 24 analiza, tha se angazhimi i “grupit të zjarrit” është që BDI-ja të kthehet në rrugën e duhur.
“Kryetari duhet të kthehet, të mos mbajë anë dhe të jetë kryetar siç ka qenë në vitet e kaluara dhe të mos na lë neve të përçahemi”, tha Mexhiti.
I pyetur se çfarë është kompromisi i mundur, Mexhiti theksoi se kur ka vullnet, ka 100 mënyra për të bërë kompromis.
“Hyrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri për një vit është vetëm për inat dhe për të mbyllur gojën e “grupit të zjarrit”. Kjo vetëm se do ta dëmtojë BDI-në”, deklaroi Mexhiti.