Mexhiti nga Gostivari: Për 7 muaj bëmë më shumë se BDI në 20 vjet, VLEN shndërrohet në subjekt të vetëm politik

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, në një takim me strukturat e partisë në Gostivar, theksoi arritjet e koalicionit VLEN si pjesë e qeverisë, duke nënvizuar se për një periudhë prej vetëm 7-8 muajsh është realizuar më shumë për shqiptarët sesa gjatë 20 viteve të qeverisjes së BDI-së.

Marketing

“Brenda një viti kemi bërë një revolucion politik: bashkuam opozitën, sollëm ndryshimin dhe për 7 muaj dërguam në opozitë një subjekt që kishte qeverisur për dy dekada,” tha Mexhiti, duke shtuar se qëllimi i tyre nuk ka qenë vetëm rrëzimi i BDI-së, por edhe realizimi i platformës politike të VLEN-it.

Në fjalimin e tij, Mexhiti bëri të ditur se koalicioni VLEN do të bëjë një hap historik: së shpejti do të konstituohet si një subjekt i vetëm politik, duke lënë pas formën e bashkëpunimit të deritanishëm si koalicion.

Duke komentuar zhvillimet e fundit, ai kritikoi qëndrimin e Arben Taravarit, duke theksuar: “Nuk mund të jesh edhe pozitë edhe opozitë. Nuk mund të kërkosh ndryshim dhe njëkohësisht të bashkëpunosh me BDI-në. Këtë tashmë e kanë kuptuar të gjithë partnerët qeveritarë.”

 

Në këtë drejtim, Mexhiti u shpreh se dera e VLEN-it mbetet e hapur për të gjithë anëtarët e sinqertë të Aleancës për Shqiptarët, që për vite kanë qëndruar kundër BDI-së.

 

Duke komentuar koalicionet e fundit të BDI-së, ai tha: “Ali Ahmeti ka bërë koalicion me Dudushin, me partitë boshnjake, madje ftoi edhe Taravarin. Nuk e dimë kë tjetër do të ftojë, por qytetarët do ta dënojnë edhe në zgjedhjet lokale, ashtu siç e dënuan në zgjedhjet parlamentare.”

Takimi në Gostivar dëshmoi vendosmërinë e strukturave të Lëvizjes Demokratike dhe koalicionit VLEN për të ecur përpara drejt bashkimit në një forcë të vetme politike që do të përfaqësojë shqiptarët me unitet dhe vizion të ri.