MEXHITI NGA TREBOSHI ME POROSI: FORCËN E MARRIM NGA QYTETARI, NA E JEP POPULLI

Pas Sellcës edhe lagjes Cetinska në Tetovë, funksionarë të lartë të BDI-së sot takuan banorët e Treboshit të Tetovës, të cilët edhe i pritën përzemërsisht.

Marketing

Kryetari i Këshillit mbikëqyrës i BDI-së Musa Xhaferi, para banorëve të Treboshit të Tetovës tha se kemi ardhur këtu për të informuar rreth iniciativës sonë për demokratizimin e BDI-së, ndryshimin e ekzekutivit dhe kthimin e partisë në rrugën e drejtë.

‘Na duhet avancimi i BDI-së për të cilën kemi dhënë shumë mund. Kemi konstatuar shumë neglizhenca dhe mosrealizim të projekteve që kemi premtuar në zgjedhje. Hapëm debat në parti, pse jemi bërë parti e gjelbërt, nuk ishte prioritet në zgjedhje, ose mund të ishte prioritet i dytë, i tretë dhe ka ardhur momenti që ‘ka has sharra në gozhdë’ dhe po reagojmë ta kthejmë në binarë partinë’, tha Xhaferi.

Nënkryetari i BDI-së dhe deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti tha se realizojnë këto takime interaktive me banorët për të prezantuar iniciativën për ndryshime, por edhe për të marrë këshilla nga qytetarët.

‘Pollogun e humbëm gati tërësisht, me Artanin dhe Artanat, që ka krijuar frymën artaniste mes ministrave dhe aktivistët, dhe sillen me ne më keq se me opozitën. Shqiptarët kanë pozita si asnjëherë më parë, me kryetar parlamenti,e gjysmën e ministrave, me 80 përqind të resoreve ekonomike, ndërsa efekt nuk ka. Neve edhe kur kemi qenë në qeveri nacionaliste, kemi punësuar 500, 600 të rinj, kemi parandaluar ikjen e të rinjve, investime nuk ka, asnjë iniciativë nuk ndërmerr Artan Grubi drejt decentralizimit, drejt përforcimit të gjuhës shqipe, nuk dënohen institucionet që nuk e zbatojnë atë. Investime kapitale nuk ka, rrugë nuk ka në vendbanime shqiptare. Flet për korridorin 8-të, ndërsa Shkup-Bllacë dy kilometra nuk janë bërë.

Mexhiti tha se nga 400 milionë euro investime kapitale, të paktën 100 milion duhet të investohen në rajonet shqiptare.

Sekretari organizativ dhe kryetar i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti tha se Ministria për sistem politik, është krijuar që të koordinon të gjitha projektet qeveritare, e çka bën Artani, është bërë zëdhënës i qeverisë, jo drejtues i dytë i saj.

‘Pse nuk ka llogari nga ministri i Ekonomisë, i Financave e të tjerë ose ska zhvillim të rajoneve. Tre vite na gënjejnë me koridorin 8-të, për të cilin jemi të gjithë pro, por nuk ndërton asnjë rrugë në fshatra dhe qytete shqiptare. Artani dhe Artanat punojnë për karierat e tyre, jo për popullin. Duhet realizuar këtë qëllim, për të ringritur BDI-në, ne kemi vota, ata nuk kanë asnjëri, dhe kemi qenë kundër tyre nga viti 2020, sepse kemi frikë se do ta shkatërrojnë BDI-në’ tha Blerim Bexheti, i cili shtoi se ministrat aktual duhet të zëvendësohen me të rinj dhe të reja.

Këtë fitore që na dhanë qytetarët në zgjedhje, nuk mund ta hedhim poshtë, për shkak të askujt, as të Artanit, as të artanave tjerë, thanë funksionarët e lartë të BDI-së, me ç’rast u duartrokitën nga treboshasit.