Mexhiti: Nisim platformë të përbashkët për parandalimin e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve në shkollat e Çairit
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se Komuna ka nisur hapat konkretë për krijimin e një platforme të përbashkët për parandalimin dhe menaxhimin e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve në shkollat e Çairit.
Platforma do të bashkojë Komunën, shkollat, psikologët dhe shërbimet profesionale, mësimdhënësit dhe prindërit, me qëllim krijimin e një qasjeje të koordinuar dhe afatgjatë. Në kuadër të saj parashihen aktivitete edukative, punë e drejtpërdrejtë me nxënësit dhe prindërit, si dhe mekanizma më të fuqishëm për parandalimin, identifikimin dhe trajtimin në kohë të rasteve të dhunës.
“Siguria dhe mirëqenia e fëmijëve tanë kërkon më shumë se reagim pas një incidenti. Kërkon parandalim, edukim dhe veprim të përbashkët. Ne duam të veprojmë para se dhuna të ndodhë, jo vetëm të reagojmë ndaj pasojave të saj. Çdo fëmijë ka të drejtë të ndihet i sigurt, i respektuar dhe i mbrojtur në shkollën e tij, dhe për këtë përgjegjësia është e përbashkët,” deklaroi Mexhiti.
Komuna e Çairit synon që përmes kësaj platforme të krijojë një sistem më të koordinuar ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë, duke vendosur parandalimin, sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në qendër të veprimit institucional.

