Milan dhe Real Madrid kualifikohen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve

Milan dhe Real Madrid janë dy skuadrat e para që janë kualifikuar për këtë sezon në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Metro.

Marketing

Në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’, ‘Rossonerët’ barazuan ndaj Napolit me rezultat 1-1, por u kualifikuan tutje pasi kishin triumfuar 0-1 në ‘San Siro’ në ndeshjen e parë.

Golin e epërsisë për skuadrën e udhëhequr nga Stefano Pioli e realizoi në minutën e 43’të sulmuesi Olivier Giroud. Meritat kryesore te ky gol i kishte Rafael Leao.

Ai me një ‘solo-aksion’ nxori nga loja disa lojtarë të Napolit, mes tyre edhe Amir Rrahmanin dhe ia lehtësoi punët francezit për të dërguar topin në rrjetë.

‘Rossonerët’ kishin mundësinë të kalonin në avantazh edhe në minutën e 22’të, por nga pika e bardhë dështoi të shënoi Giroud.

Nga penalltia nuk realizoi në minutën e 82’të as mesfushori në top formë këtë edicion i napolitanëve, Khvicha Kvaratskhelia.

Napoli barazoi shifrat krejt në fund të takimit me anë të Victor Osimhen, por ishte vonë për të bërë diçka më shumë.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në ‘Stamford Bridge’, Real Madrid triumfoi me rezultat 0-2 kundër Chelsea (0-4 me rezultat të përgjithshëm).

Të dy golat për ‘Los Blancos’ i realizoi anësori brazilian Rodrygo (58′, 80′).