Ministri Bekteshi dëgjoi rekomandimet e kompanisë PVC për Kodrën e Diellit

Kodra e Diellit përballet me mungesë infrastrukture dhe me menaxhim jo të mirë.
Deri tani është rehabilituar vetëm rruga që të çon nga Tetova në këtë qendër turistike. As plani urbanistik i prezantuar nga komuna muaj më parë nuk kënaqi shoqatat joqeveritare që alarmuan se ai nuk parasheh as zgjerimin e rrugëve dhe as shtimi i kapaciteteve të parkingjeve.

Marketing

Këtë të hënë sërish u prezantua studimi i radhës i fizibilitetit për Kodrën e Diellit që është bërë nga kompani PVC.

Megjithatë, u diskutua vetëm para disa njerëzve të zgjedhur, mediat u mbajtën larg asaj që ndodhte brenda edhe pse kishin ftesë zyrtare për të ndjekur ngjarjen. Nga Nisma “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit” reaguan për mbajtjen larg syve të opinionit të saj që diskutohet për Kodrën e Diellit.

“Kërkojmë që të futemi brenda së bashku me gjithë gazetarët dhe të ndjekim se ç’farë studimi. Ne këtu erdhëm me pesë anëtarë të nismës për Kodrën e Diellit, por shohim se vetëm dy emra kanë aty”,- tha Hamdi Sulejmani nga Inciativa “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Ministri Bekteshi u justifikua se kështu ka vendosur kompania që ka bërë studimin.

“Është vendim intern i kompanisë, i cili brenda për brenda ka rregullat dhe mënyrën se si e prezantojnë studimin. Nuk është vendim as i ndërmarrjes ESM as i Ministrisë apo Qeverisë”,- theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ky nuk është studimi i parë i fizibilitetit që bëhet për Kodrën e Diellit. Studimi i parë u bë nga EKO SIGN, kushtoi 233 mijë euro, më pas në 2012, një tjetër studim u bë nga Beko NIT, për një shumë prej 200 mijë eurosh.

Studimi aktual financohet nga Banka Botërore me 200 mijë euro. Ministri Bekteshi thotë se kanë ardhur të dëgjojmë rekomandimet nga kompania PVC, për mënyrën se si duhet të zhvillohet Kodra e Diellit pa dhënë sigurisht sqarime të detajuara se çfarë parasheh studimi.

Jozyrtarisht mësojmë se diskutohen shtatë variante për menaxhim me Kodrën e Diellit, por ende nuk dihet se cili prej këtyre favorizohet nga ekzekutivi.