Pas kontrolleve të hollësishme nga ana e Departamentit për Kontroll të Brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale, Ministria për Punë të Brendshme përmes një kumtese zyrtare të publikuar në ueb faqen e tyre ka informuar opinionin se rasti i përdorimit të paligjshëm të të ashtuquajturve “flashers” nga ana e djalit të zëvendësministrit të Brendshëm e për të cilat në publik të fundit u plasuan një sërë spekulimesh nga disa media të caktuara është zbardhur tërësisht dhe shkelësve të ligjit tashmë u janë shqiptuar masat e disiplinore të parapara me ligj, informon GAZETA.MK
Sipas MPB-së nga video inçizimet e siguruara dhe materialet e tjera zyrtare është konfirmuar identiteti i drejtuesit të makinës. Bëhet fjalë për personin me inicialet G.K. 29 vjeç, i cili ka drejtuar automjetin në pronësi të një personi juridik.
“Personit me inicialet G.K. në stacionin policor i është dhënë procesverbal pasi që është konstatuar nga ana e tij shkelje e Ligjit për siguri në komunikacion dhe me automatizëm kundër personit juridik dhe personit përgjegjës për këtë rast është ngritur procedurë kundërvajtëse. Gjithashtu, pas kontrollit të automjetit në polici, është konstatuar se janë hequr “flasherët” e vendosur në mënyrë të paligjshme”, thuhet më tej në kumtesën e MPB-së.