Ministrja Deskoska do ta nënshkruajë Konventën e Singaporit për mediacion

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska sot do ta nënshkruajë Konventën e Singaporit për ndërmjetësim në Singapor, ku do të takohen përfaqësuesit zyrtar nga 50 vende për mbështetje dhe nënshkrim të marrëveshjes së re ndërkombëtare për ndërmjetësim.

Marketing

Nënshkrimi i kësaj konvente, siç thonë nga Ministria e Drejtësisë, është ngjarje historike e cila do të sjellë përfitime të shumta për investuesit e huaj dhe kompanitë përmes zgjidhjes alternative, jashtëgjyqësore të kontesteve tregtare ndërkombëtare.

Deri më tani, marrëveshjet me të cilat janë zgjidhur kontestet tregtare ndërkombëtare, ndërkaq të cilat ishin arritur me anë të ndërmjetësimit – nuk patën mekanizëm mbrojtës dhe garanca për zbatim tejkufitar.

“Konventa e Kombeve të Bashkuara për Marrëveshje ndërkombëtare për dakordim, që dalin nga ndërmjetësimi”, e njohur si Konventa e Singaporit për ndërmjetësim, do të sigurojë zbatim tejkufitar dhe respektim të marrëveshjeve të arritura me anë të ndërmjetësimit, do t’u mundësojë kompanive dhe investuesve ndërkombëtarë siguri më të madhe juridike e cila do ta rrisë tregtinë ndërkombëtare.

Konferenca dhe Ceremonia e nënshkrimit për Konventën e Singaporit janë në organizim të Ministrisë së Drejtësisë së Singaporit dhe Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të drejtë ndërkombëtare tregtare (UNCITRAL), dhe paraqesin pjesë nga disa ngjarje të lidhura që do të mbahen gjatë Javës së Konventës në Singaport prej 2 deri më 8 gusht 2019. Në konferencë do të diskutohen tema lidhur me të drejtën tregtare ndërkombëtare dhe zgjidhjen e kontesteve, avancimin e ndërmjetësimit si mënyrë alternative për zgjidhje të kontesteve dhe të ardhmen e zgjidhjes ndërkombëtare të kontesteve.

Ministrja Deskoska do të flasë në kuadër të tryezës së rrumbullakët të titulluar “Ndërtimi i besimit, mundësimi i tregtisë ndërkombëtare”, në të cilën ministrat dhe përfaqësuesit e lartë do të bisedojnë për atë se çka mund të bëjnë qeveritë për ndërtimin e besimit mes paqartësive globale, rëndësinë e multilateralizmit dhe sundimin ndërkombëtar të së drejtës, si dhe përfitimet e Konventës së Singaporit për ndërmjetësim.

Konferencën do ta hapin kryeministri i Singaporit, Li Sjen Lung dhe Stiven Matias, ndihmës sekretar i përgjithshëm për punë juridike të OKB-së.

Konventa u miratua me konsensus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 20 dhjetor të vitit 2018. Kjo do të jetë marrëveshja e parë e OKB-së që do ta mbajë emrin sipas Singaportit, Lista e nënshkruesve flet për rëndësinë e kësaj konvente: SHBA-ja, Kina, Japonia, Turqia, India, Zvicra, Australia, Irani, Katari dhe të tjera. .