Mjaftuan disa minuta reshje të rrëmbyeshme të shiut, që rrugët e Tetovës të shëndrrohen në liqene

Shi i rrëmbyeshëm e ka përfshirë Tetovën në mesditë . Reshjet zgjatën vetëm disa minuta por mjaftuan që rrugët e qytetit të shndërrohen në liqene, raporton Alsat.

Marketing

Për shkak të reshjeve të dendura, ujërat e zezë dolën në sipërfaqe në disa pjesë të qytetit.

Autoritetet ende nuk kanë njoftuar nëse janë shkaktuar dëme.

Me përmbytje nga reshjet të shiut Tetova u ballafaqua edhe rreth tre muaj më parë, ku u përmbytën edhe disa shtëpi e bodrume të bizneseve, ndërsa shumë rrugë u mbushën me zall e baltë.

Për situatën e atillë, autoritet lokale në Tetovë e fajësuan ish-kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, të cilën e akuzojnë se i ka ndërtuar kanalizimet dhe rrugët pa standarde.

Shiu i rrëmbyeshëm mbrëmë shkaktoi dëme të mëdha edhe në Kavadar, ku u përmbytën mbi 20 podrume, uji doli nga kanalizimi, u rrëzuan disa pemë.

Nga Enti hidrometeorologjik ndërkaq njoftojnë se prej nesër moti do të stabilizohet.

“Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi perëndimor dhe veriperëndimor. Prej nesër do të ketë stabilizim të motit me rritje të shpejtë të temperaturave ditore, përveç të martës kur në orët e pasdites pritet të ketë jostabilitet lokal të motit me reshje të rrëmbyeshme të shiut, vetëtima dhe erë të fuqishme”, thonë nga Enti Hidrometeorologjik.

Gjatë javës së ardhshme pritet që temperaturat në disa pjesë të vendit të arrijnë deri në 39 gradë celsius.

Marketing