Moranë, vijon bojkoti i mësimit, prindërit kërkojnë shkollë më vete

Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave nuk japin asnjë detaj nëse në dikasteret e tyre ka arritur kërkesë për mëvetësimin e shkollës periferike “Naim Frashëri” të fshatit Moranë të Komunës së Studeni¬çanit. Pavarësisht pyetjeve të dërguara nga Alsat, deri në këto momente nuk morëm asnjë përgjigje nëse një procedurë për mëvetësimin e shkollës po shqyrtohet në këto institucione. Nga ana tjetër, në shkollën “Naim Frashëri” vazhdon bojkotimi i mësimit. Nxënësit që takuam në oborrin e shkollës thanë për Alsat se do të mundohen që mësimet e humbura t’i kompensojnë në shtëpi duke konsultuar mësuesit përmes telefonit dhe prindërit e tyre.

Marketing

“U ndjeva i mërzitur pse nuk erdha në shkollë por shpresoj të kryhet kjo punë. Derisa do të jemi në bojkot unë do të mësoj nga shtëpia”, tha një nxënës.

“Shumë na vjen keq që humbim prej mësimit. Të gjitha këto mësime që I humbim do ti mësojmë në shtëpi. Do të konsultohemi me arsimtarët dhe prindërit në shtëpi. Do ta shfrytëzoj kohën dhe do të lexoj detyrat që më kanë mbet në gjysmë”, theksoi një nxënës tjetër.

Sipas këshillit iniciues mësimi bojkotohet për shkak se nuk lejohet mëvetësimi i shkollës e cila për momentin funksionon si shkollë periferike e shkollës qendrore të fshatit Studeniçan. Sipas banorëve, kërkesa për ndarjen e shkollës ka nisur që në vitin 2014 dhe i plotëson të gjitha kushtet për të funksionuar si shkollë më vete. Nga Komuna e Studeniçanit apeluan banorët për ndërprerje të bojkotit për shkak se është në dëm të nxënësve. Kryetari i Studeniçanit, Azem Sadiku ka deklaruar se kërkesën për mëvetësimin e shkollës e ka drejtuar në Ministrinë e Arsimit ku nga komisioni përkatës është konstatuar se plotësohen kushtet për ndarje të këtij objekti. Mirëpo, sipas Sadikut procedura është ndërprerë nga Ministria e Financave./Alsat.mk

Marketing