Jose Mourinho mendon se fushata fitimtare e Kupës së Botës së Paul Pogba e ka ndihmuar Manchester United të gjejë momentin e duhur, pas një nisjeje jo të mirë të sezonit të ri në Premier League. Pasi kanë humbur dy nga tri ndeshjet e para të edicionit të ri, “Djajtë e Kuq” kanë fituar tri ndeshje në të gjitha garat.
Pogba, i cili ka shënuar katër gola në gjashtë ndeshje, pasi u kthye nga triumfi i Francës në Rusi, duke fituar Botërorin e tij të parë në karrierë, ka qenë “çelësi” i Manchester United për të përmbysur startin negativ fillestar. Dhe trajneri portugez beson se 25-vjeçari është duke e ndihmuar shumë skuadrën e tij:
“Unë mendoj se lumturia, besimi dhe vetëvlerësimi ishin ato që e shtynin Pogba të luante në ndeshjen e parë, kundër Leicester, pothuajse pa trajnim fare. Ai luajti një ndeshje shumë të mirë”.
Me shtatë lojtarë nga skuadra e tij, që arritën deri në çerekfinale të Kupës së Botës së kësaj vere (Pogba me Francën, Romelu Lukaku dhe Marouane Fellaini me Belgjikën, dhe kuarteti i Anglisë: Jesse Lingard, Marcus Rashford, Ashley Young dhe Phil Jones), Mourinho kishte shqetësime të mëdha. Dhe Manchester United pati një fillim sezonal të lodhur.
Por, “Special One” ka pranuar se kampioni francez ka krijuar një atmosferë optimiste mes lojtarëve të tij. Ai mendon se paraqitja, golat dhe roli prej udhëheqësi i Pogba e ka ndihmuar krejt grupin e Manchester United ta kapërcejë lodhjen mendore dhe fizike të një sezoni tepër të ngarkuar, si ai i kaluari.
“Mendoj se rezultatet dhe performancat e mira mund të bëjnë që ju të dukeni si një mrekulli, – shtoi portugezi. – Në të kundërt, rezultatet dhe performancat e këqija iu bëjnë të dukeni më të lodhur, më të mërzitur, më të shëmtuar. I tillë është futbolli. Një ekip që dje ishte shumë i keq mund të duket shumë i mirë sot dhe anasjelltas. Unë mendoj se ky është më shumë ndikim i momentit”.