Policia financiare, për kontrollin e kryer me urdhër të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar, kërkon të reagojnë edhe organet e larta gjyqësore.
Ata sot kanë dorëzuar kërkesë deri te Këshilli i prokurorëve publik për të rishqyrtuar veprimet e kryetares së prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskovska.
Sipas informacioneve të Alsat, drejtoria e udhëhequr nga Arafat Muaremi ka përgatitur parashtresë që ndoshta nesër do ta paraqesë në Këshillin gjyqësor, i cili do të duhet të kontrollojë se me çfarë baze një gjykatës në procedurë paraprake ka autorizuar prokurorinë për të kryer bastisje.
Drejtoria e policisë financiare pohon se gjetjet e Prokurorisë së Ruskoskës nuk janë dëshmuar në kërkesën dhe urdhrin për bastisje.
Parashtresën e parë e kanë dorëzuar te Prokurori publik republikan, Lubomir Joveski i cili paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime, pas çka do të merret vendimi, por deri më tani nuk ka asnjë reagim.
Gjithashtu nuk tregojnë cili ka qenë shkaku që i ka ftuar në bisedë prokuroret që kanë qenë të angazhuara për bastisjen.
Sipas ligjit, prokuroria në çdo kohë mund të kërkojë qasje dhe vënie në dispozicion të dokumenteve për kontroll.
Për këtë ka reaguar administrata e policisë financiare dhe pyetës pse prokurorja Ruskovska ka vendosur të bëjë bastisje në vend që të kërkojë dokumentacionin për kontroll, sepse në urdhër nuk theksohen cilat janë bazat e dyshimit për bastisje.
Për shkarkimin e mundshëm, caktimin e masave disiplinore të prokurorit, propozim vendim sjell prokurori publik i shtetit, i cili më pas i dërgohet këshillit të prokurorëve publikë, e që duhet ta shqyrtojnë dhe të votojnë në seancë.
Pa propozim të tillë nga prokuroria publike, këshilli nuk ka kompetencë të vendos nëse dikush do të shkarkohet.
Nga ana tjetër, për veprimet e gjykatësit, këshilli gjyqësor mund të vendosë menjëherë për parashtresën.
Bastisja në zyrën e drejtorit Arafat Muaremi është bërë javën e kaluar. Ruskovska nuk ka bërë të ditur detaje se çfarë po kërkohet në policinë financiare, por ka treguar se janë duke u marrë masa pas ankesës së një qytetari për gjoja mosveprim të Drejtorisë së Policisë Financiare. / Alsat.mk