N.P.K. “Tetova”, 25 milion denarë për rrogat e punëtorëve

 

Komuna e Tetovës, subvencionon me 25 milion denarë ndërmarrjen publike komunale “Tetova”. Paratë dedikohen për pagat e rreth 200 punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, të cilët për herë të fundit rrogë kanë marrë para katër muajsh. Vendimi u miratua në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga kreu i këshillit të Tetovës. Ndërkohë u vendos që rroga e këtij muaji e kreut të komunës, kryetarit të këshillit por edhe drejtorit të dedikohen për pagat e punonjësve të ndërmarrjes “Tetova”

Marketing

“Është një zgjidhje afatshkurta deri për vit të ri, ku komuna apo këshillit si organ themelues i ndërmarrjes do mbulojë të gjitha shpenzimet ndaj punëtorëve me kontratë që i ka krijuar NPK. Normal, sektori i financave do ndjek procesin e punës dhe do kërkoj nga ndërmarrja që të sjell listë të detajuar të të punësuarve që janë me kontratë në vepër”, deklaroi Besar Durmishi, Kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

“Ne mendojmë se kjo ndihmë është e përkohshme, që nënkupton ndihmë për refundimin e pagave për personat me kontratë në vepër nga muaji i tetë deri në dhjetor, me atë që pas dhjetorit, është ajo afatgjate siç u përmend nga kryetari, parashihet që pas vitit të ri të rithemelohen dy subjekte të reja juridike. Arsyeja e mos pagesës së rrogave është mos shlyerja e borxheve të qytetarëve ndaj Ndërmarrjes publike”, u shpreh Lulzim Shaqiri, N.P.K. “Tetova”.

Ky vendim hasi në reagime të ashpra nga ana e opozitës, e cila kërkon zbardhjen e listës së të punësuarve dhe garanci se paratë do përfundojnë te punëtorët që nuk kanë marrë rroga që prej katër muajsh. Këshilltarët e BDI-së në shenjë revolte, lëshuan mbledhjen e këshillit.

“Arsyetimet që i dhanë ata nuk mbajnë. Ne kemi dyshimet tona se çka është gatuar në këtë seancë dhe ishit dëshmitarë të debatit që e patëm në këshill. Pra ne kërkuam që të jepet një raport i detajuar për fondet që kërkon NPK “Tetova”, sepse bëhet fjalë për 35 milion denarë që i kërkon ndërmarrja për pagën e punëtorëve. Ne nuk jemi kundër kësaj mirëpo kërkojmë një raport të detajuar nga ndërmarrja, dhe kërkojmë listën e të punësuarve nga ardhja e tyre dhe listën e të punësuarve me kontratë në vepër”, theksoi Liridon Disha, këshiltar i BDI-së.

Ndërkohë në janar ndërmarrja publike “Tetova” planifikohet të ndahet në dy drejtori, atë të higjienës komunale dhe ujësjellësit e kanalizimeve. Në këtë mënyrë planifikohet të bëhet edhe ndarja e borxhit të ndërmarrjes prej 9.5 milion euro. Ndërmarrja “Tetova” përveç borxhit përballet edhe me përqindje tejet të ulët të pagesës së fatura nga qytetarët në tre vitet e fundit, që nuk është më shumë se 25 për qind.