NATO i bën thirrje Rusisë të dëshmojë se është gati të ulë tensionet

Shefi i NATO-s tha se mirëpret sinjalet se Rusia mund të jetë duke shikuar që ta zgjidhë krizën me Ukrainën në mënyrë diplomatike, por i bëri thirrje Moskës që të demonstrojë se është e gatshme që të veprojë.

Marketing

“Ka sinjale nga Moska se diplomacia duhet të vazhdojë. Kjo na jep hapësirë për optimizëm të matur. Por, deri më tani nuk kemi parë asnjë shenjë të shtensionimit të situatës në terren nga pala ruse”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg para një takimi dyditor në Bruksel, ku do të takohen ministrat e mbrojtjes së Aleancës.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të takohen edhe me ministrat e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për të diskutuar tensionimit e situatës në rajonin e Detit të Zi. Në takim do të marrin pjesë edhe ministrat e Finlandës, Suedisë dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

“Rusia ka grumbulluar forca ushtarake në dhe përreth Ukrainës në një shkallë të paprecedentë që prej Luftës së Ftohtë. Gjithçka është gati për një sulm të ri. Por, Rusia ka ende kohë që të tërhiqet, të ndalojë së përgatituri për një luftë dhe të punojë për zgjedhje paqësore të situatës”, tha Stoltenberg.

Shefi i NATO-s tha se situata aktuale “është kriza më serioze e sigurisë që jemi përballur në Evropë në dekada”.

Rusia ka grumbulluar 130,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, që ka rritur shqetësimet në Perëndim se Moska është duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.

Kremlini ka thënë se nuk ka plane për pushtim. Më 15 shkurt, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se disa trupa të pozicionuara pranë kufirit me Ukrainën, janë kthyer në bazat e tyre, pas përfundimit të stërvitjeve. Kjo ministri shtoi se stërvitjet e shkallës së gjerë në Rusi do të vazhdojnë.

Stoltenberg tha se nga përvojat e kaluara, NATO ka vërejtur se Rusia lëviz trupat nga një vend në tjetrin, por i lë pas pajisjet dhe makinerinë e rëndë në mënyrë që trupat të mund të grupohen shpejt sërish.

“Në Moskë nuk duhet të ketë asnjë dyshim rreth gatishmërisë së plotë dhe vendosmërisë së NATO-s. Ne garantojmë 100 për qind sigurinë e të gjitha shteteve tona anëtare”, tha Stoltenberg, duke konfirmuar se NATO po vazhdon ta përforcojë praninë në shtetet anëtare në lindje të Evropës.

Ai tha se rritja e pranisë është “demonstrim i fortë i përkushtimit amerikan për sigurinë e Evropës, nga Baltiku deri në jug të Evropës”.

Stoltenberg po ashtu mirëpriti gatishmërinë e Francës që të udhëheqë një grup luftarak të aleancës në Rumani.