Dje, e enjte, është mbajtur seancë për rastin “Veteranët”.
Në këtë seancë Prokurori Special, Enver Krasniqi, ka paraqitur kërkesën e tij që të pezullohet pagesa për 19 mijë veteranët deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Sipas tij kjo duhet të bëhet me arsyen se “Si rezultati i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet. Prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik, prokurori i shtetit ka autorizim të plotë ligjor për të kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi.
“Përfitues nga buxheti i Kosovës janë personat e tretë dhe një situatë e tillë kur me veprime e të pandehurve si rezultat i veprave penale dhe kur përfitojnë personat e tretë përcaktohet rregulli për të dëmtuarin, që në rastin konkret kemi dëmtimin e Buxhetit të Kosovës. Andaj bazuar në këtë fakt se personat e tretë të paraqitur në aneksin 1 të kësaj aktakuze si pasojë e veprës penale të të pandehurve nga 2015 deri në gusht 2018 kanë përfituar më shumë mbi 88 milionë euro”, ka shtuar ndër të tjera Krasniqi.
Vendimi i gjykatës për masën e përkohshme për pezullimin e pensioneve të 19 mijë veteranëve do të vendoset jashtë seancës.
Vendimi do të jetë me shkrim dhe do t’u shpërndahet palëve.
E, nëse vendimi do të jetë për pezullim të pensioneve atëherë organizata e Veteranëve të UÇK-së ka paralajmëruar protesta.
Ndërsa dhjetë të akuzuarit të pranishëm në seancë janë deklaruar si të pafajshëm.
Madje ata kanë thënë se aktakuza është e pabazuar.
Prokuroria Speciale e Kosovës, dje kërkoi nga Gjykata që të lëshohet urdhër arrest për dy të akuzuarit që kanë munguar në seancën e sotme, Ahmet Dakun dhe Xhavit Jasharin.
Ndryshe, i pari i veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati për lajmi.net ka thënë dje se prokuroria me një kërkesë të tillë po kërkon dhunë dhe protesta.
“Ka gabu prokuroria, nëse mendon që duhet të ndalen pagat për 19 mijë veteranët të luftës. Secili veç e veç duhet të jap përgjegjësinë e jo në mënyrë kolektive. Nëse ndodhë kjo atëherë prokuroria po kërkon të ketë dhunë në Kosovë, të ketë protesta. Ata po duan të ketë dhunë në Kosovë dhe protesta, kështu që ne nuk garantojmë që nuk do të ketë dhunë dhe protesta”, ka thënë ai.
Sipas Gucatit, secili mbanë përgjegjësinë veç e veç dhe secili duhet të dënohet nëse ka bërë falsifikime apo është veteranë i rrejshëm e jo që të merre me 19 mijë vetë.
Lajmi.net kishte publikuar aktakuzën e parë të Prokurorisë Speciale kundër: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Lajmi.net për ditë të tëra kishte publikuar afër 20 mijë emra që prokuroria në aktakuzën rreth 900 faqe, i cilësonte veteranë të rrejshëm.
Pas raportimit të lajmi.net, Gjykata Themelore në Prishtinë e kthehu mbrapsht aktakuzën për përmirësim dhe qartësim Prokurorisë Speciale te Republikës së Kosovës. /Lajmi.net/