Nderohet Hoxhë Ataullah Kurtishi, në Çair rrugë me emrin e figurës së madhe fetare e kombëtare shqiptare dhe Akademi për jetën dhe veprën e tij

Rruga me emrin “Hoxhë Ataullah Kurtishi”(Ish-Vojdan Çernodrinski) u inaugura sot në Komunën e Çairit. Hoxhë Ataullah Kurtishi ishte veprimtar dhe dijetar, personalitet i cili iu kundërvu projekteve shkatërruese dhe përpjekjeve për dëbimin e shqiptarëve dhe të tjerëve nga vatrat e tyre në periudhën e Mbetërisë Jugosllave.

Marketing

Në ceremoninë e përurimit të rrugës ishin tubuar familjarë, deputetë, kryetarë komunash historian, përfaqësues të Bashkësisë Fetare Islame si dhe banorë të shumtë të Çairit.

Menjëherë më pas u mbajt edhe Akademi solemne mbi jetën dhe veprën e Hoxhë Ataullah Kurtishi në organizim të Komunës së Çairit. Para të pranishmëve nikoqiri, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu tha se t’ia nderosh veprën dhe rolin një njeriut siç ishte Hoxhë Ataullah Kurtishi është gjë më se e veçantë.

“Ne pikërisht sot këtë po e bëjmë, sepse gjurmët e Hoxhë Ataullah Kurtishit meritojnë të mbesin të pashlyera dhe të trashëguara gjeneratë pas gjenerate. Ngaqë, ky njeri kontribuoi në masë të madhe për gjithsecilin prej nesh, kontribuoi për kauzën tonë kombëtare, duke i penguar shqiptarët e këtyre trojeve të braktisin vatrat e të shkojnë jashtë, duke shpërndarë dijen e duke shpërndarë fjalën e atdhedashurisë”, tha Ganiu, për të shtuar se ata që dikur kalonin nëpër rrugën “Vojdan Çernodrinski” sot e tutje do të kalojnë nëpër rrugën “Hoxhë Ataullah Kurtishi” që gjendet shumë pranë vatrës familjare të dijetarit tonë të nderuar.

“Edhe po të ishte përpjekur dikush të harrojë veprimtarinë e Hoxhë Ataullah Kurtishit bashkë me shumë kontribues të kombit tonë shqiptarë, ne nuk lejuam një gjë të tillë të ndodh”, tha Ganiu dhe sqaroi se pas shumë e shumë përpjekjeve si Komunë e Çairit dhe me ndihmën e pamohueshme të Këshilltarëve të Qytetit të Shkupit, arritëm që mijëra qytetarë tanë sot të kenë nëpër letrat e tyre të identifikimit dhe dokumentet e tjera, emrin e Hoxhë Ataullah Kurtishit.

“Me këtë shlyem njëkohësisht një të kaluar të hidhur me emra rrugësh që nuk i përkisnin historisë së ndritshme kombëtare shqiptare, por vendosëm të vëmë tabela me emra rrugësh që të kujtojmë kaq esëll dhe gjallë, idealin dhe aspirimin historik jo vetëm të Hoxhë Ataullah Kurtishit, por edhe të 66 personaliteteve bashkë me ngjarjet që na identifikojnë si komb dhe që do të qëndrojnë me plot krenari nëpër rrugët e Çairit tonë të dashur, u shpreh Ganiu.

Para të pranishmëve foli edhe Mesud Jakupi, përfaqësuesin nga vendlindja e Hoxhë Ataullah Kurtishit, Studeniçani, nipi Ridvan Efendi Kurtishi dhe stërnipat Mesut Kurtish dhe Muhamed Ali.

Nga aspekti historik fjalë rasti kishte edhe historiani që vazhdimisht është përpjekur ta mbajë të gjallë historinë dhe faktet e shkëlqyeshme për veprën dhe jetën e Hoxhë Ataullah Kurtishit, Qerim Lita.