TikTok ka sjellë funksione të reja Family Pairing, duke u ofruar prindërve mundësinë për të vendosur kufizime dhe për të personalizuar kontrollin e përdorimit të platformës nga fëmijët e tyre, në përputhje me nevojat familjare, raporton noa.al duke cituar një informacion të shpallur nga rrjeti social.
Një nga risitë më të mëdha është funksioni i meditimit brenda aplikacionit, i dizajnuar posaçërisht për të ndihmuar adoleshentët të shkëputen nga ekrani nëse përdorin TikTok pas orës 22:00.
Prindërit mund të vendosin gjithashtu një orar të përsëritur për përdorimin e aplikacionit, duke përshtatur kufizimet me rutinën e familjes.
Nëse planet ndryshojnë, adoleshentët mund të kërkojnë më shumë kohë në platformë, por vendimi përfundimtar i takon prindërve.
Mbrojtje më e fortë për adoleshentët
TikTok ka integruar masa më të fuqishme sigurie për llogaritë e adoleshentëve që nga momenti i regjistrimit të tyre, me synimin për të krijuar një përvojë më të sigurt dhe për t’i dhënë prindërve më shumë siguri për aktivitetin e fëmijëve të tyre në këtë platformë.
Çfarë është Family Pairing?
Funksioni Family Pairing ka ndihmuar miliona të rinj të kenë qasje në përmbajtje edukative çdo javë. Me përditësimet më të fundit, prindërit kanë më shumë mundësi për të monitoruar dhe kontrolluar aktivitetin e adoleshentëve në TikTok dhe për t’i ndihmuar ata të zhvillojnë zakone të shëndetshme dixhitale.
Kontrolli i prindërve për përdorimin e TikTok
Që nga lançimi i Family Pairing pesë vite më parë, TikTok ka përmirësuar vazhdimisht këtë funksion, duke shtuar veçori të reja bazuar në rekomandimet e ekspertëve dhe feedback-un e prindërve. Tani, prindërit kanë mundësinë të bllokojnë aksesin e adoleshentëve në TikTok gjatë orëve të caktuara nga vetë ata.
Funksioni “Time Away” lejon prindërit të përcaktojnë kur është më e përshtatshme që adoleshentët të bëjnë një pauzë nga aplikacioni – qoftë gjatë kohës së studimeve, natën, fundjavave apo pushimeve.
Monitorimi i rrjetit social të adoleshentëve
Një tjetër funksion i ri i Family Pairing u lejon prindërve të shohin se cilët llogari ndjek adoleshenti i tyre, kush e ndjek atë dhe cilët përdorues ka bllokuar. Kjo rrit transparencën dhe i ndihmon prindërit të mbajnë një komunikim të hapur me fëmijët e tyre për sjelljen dixhitale.
Masa të reja sigurie, mirëqenie dhe privatësi
Me këto përditësime, prindërit kanë akses në më shumë se 15 funksione të sigurisë, privatësisë dhe mirëqenies dixhitale. Disa nga opsionet më të rëndësishme janë:
✅ Riaktivizimi i përmbajtjes edukative STEM, nëse adoleshenti e ka çaktivizuar. Kjo përmbajtje është tashmë e disponueshme në mbi 100 vende dhe vizitohet nga miliona adoleshentë çdo javë.
✅ Vendosja e kufizimeve ditore për përdorimin e ekranit, sipas nevojave të familjes. Prindërit mund të zgjedhin, për shembull, 30 minuta përdorim gjatë ditëve të javës dhe më shumë kohë gjatë fundjavës.
✅ Përdorimi i një kodi unik: Pasi kalon limiti ditor, adoleshentët mund të hyjnë në TikTok vetëm nëse prindi ndan një kod unik me ta.
✅ Kufizimi automatik për përdoruesit nën 18 vjeç: Përdoruesit nën këtë moshë kanë të vendosur automatikisht një limit ditor prej 60 minutash në TikTok.
✅ Rikthimi i llogarisë së adoleshentëve në modalitet privat, nëse ata e kanë bërë publike.
Me këto ndryshime, TikTok synon të ofrojë një ambient më të sigurt për të rinjtë dhe t’u japë prindërve më shumë kontroll mbi përvojën dixhitale të fëmijëve të tyre.