Ndryshimet kushtetuese, Ahmeti: Unë them se do të bëhet

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, është i bindur se do të bëhen ndryshimet kushtetuese, me të cilat Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ai në një intervistë për TV21 nuk zbuloi datën e seancës, pasi siç tha, nuk është për ta ndarë me publikun, por është optimist se në momentin që do të thirret seancë do të bëhet edhe votimi. Ai porositi krerët politik, e në veçanti liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që të shfrytëzojnë këtë mundësi të artë për vendin, sepse në të kundërtën në Maqedoninë e Veriut do të mbesin vetëm politikanët dhe biznesmenët, pasi të tjerët do ta braktisin vendin.

Marketing

“Hristijan Mickoski duhet t’i mendojë gjërat mirë, sepse mban përgjegjësi si lider partie. Gjërat nuk e di si do të shkojnë, por është e domosdoshme që ndryshimet kushtetuese të ndodhin. Ne nuk duhet ta humbim shansin e artë. Ne jemi para hyrjes në dhomën kryesore. Në qoftë se Mickoski, Kovaçevski, Ahmeti, Thaçi, Taravari duan që të mbesin të vetëm këtu dhe të votojnë për njëri-tjetrin, atëherë mos t’i bëjnë ndryshimet kushtetuese dhe ne të sillemi vërdallë këtu, politikanë, biznesmenë, atëherë njerëzit do të na braktisin, sepse njerëzit duan jetë më të mirë.”, – deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.