Kryeministri Dimitar Kovaçevski, është shprehur ndryshimet kushtetuese do të sillen përmes diskutimeve publike me përfshirjen e të gjitha palëve të prekura me një konsensus të gjerë shoqëror. Derisa nga ana tjetër, ai ka shtuar se për momentin nuk pritet të ketë takim të liderëve dhe as nuk planifikohet në një të ardhme të afërt.
Debati për ndryshimet kushtetuese, sipas tij, duhet të fillojë në nivel ekspertësh, sepse duhet së pari të shkruhen amendamentet kushtetuese në mënyrë që qytetarët dhe të gjithë të tjerët të mund të shohin se si duken ato.
“Atë do ta bëjnë ekspertë nga Ministria e Drejtësisë, profesorë universitarë dhe sigurisht përfaqësues të partive politike. Lidhur me përfshirjen e të gjitha partive politike, normalisht se ato do të përfshihen në vetë procesin, sepse procesi i ndryshimeve kushtetuese parasheh prëfshirje të të gjithëve në Kuvend, sepse ai zhvillohet në Kuvend në disa faza”, u shpreh Kovaçevski.
Kryeministri paralajmëroi se në diskutimet publike do të përfshihen komuniteti akademik dhe afarist, organizatat qytetare, mediumet…
“E tëra me qëllim që ajo të ndërtohet me një konsensus të gjerë shoqëror”, tha Kovaçevski.