Ndryshimet kushtetuese, partitë shqiptare preferojnë zgjidhje në kuvend

Partitë shqiptare janë të mendimit se koha nuk është për zgjidhje, por nga ana tjetër nuk kanë plan “B” në rrethana kur VMRO-DPMNE refuzon të mbështesë ndryshimet kushtetuese për implementimin e marrëveshjes së Prespës. Dy partitë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, përsërisin qëndrimin se ndryshimet kushtetuese duhet të kalojnë në Kuvend, por nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për këtë çështje, atëherë janë të gatshëm të shkojnë edhe në zgjedhje të parakohshme.

Marketing

“Edhe pse tashmë të gjithë paralajmërojnë se do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, fakt është që nuk japin ndonjë zgjidhje të momentit, sepse kush garanton se pas këtyre zgjedhjeve të parakohshme që do të kemi numra që do të duhet të kalojnë ndryshimet kushtetuese, pra 80 deputetë, por ndoshta kjo mund të jetë vetëm humbje kohe. Të gjithë shpresojmë se ditët në vijim mund të gjendet ndonjë farë zgjidhje që është e vështirë. Ne kemi qëndrimet tona dhe nuk kemi pse të mbështetemi në qëndrimet e subjekteve tjera politike, por si subjekt jemi të gatshëm që në çdo moment të dalim në zgjedhje”,- tha Fadil Zendeli nga Besa e Bilall Kasamit.

“Është evidente se këto dy qëndrime të cilat i dëgjuam mbrëmë e largojnë procesin nga një zgjidhje normale, ndërsa zgjidhja normale do të ishte futja e ndryshimeve kushtetuese në një procedurë parlamentare. Edhe zgjedhjet e parakohshme nuk janë të pamundura dhe ne jemi të gatshëm për zgjedhje, por hipotetikisht edhe në rast se sikur të kalojnë ndryshimet kushtetuese në kuvend para zgjedhjeve, ne insistojmë që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse më së paku që mund të themi se ky referendum ka deligjitimuar këtë qeveri”,- tha Syreja Rashiti nga Aleanca për Shqiptarët.

Qëndrime të ngjashëm kanë edhe partitë politike shqiptare të cilat përbëjnë shumicën parlamentare, BDI, BESA e Afrim Gashit dhe PDSh, të cilat kanë paralajmëruar se së shpejti do të dalin edhe me qëndrime zyrtare.