Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska ka qëndruar për vizitë në Komunën e Bërvenicës, ku ka parë për së afërmi punët që janë duke u bërë për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në këtë komunë. Ajo është shprehur se është e kënaqur që 80 fëmijë prej vitit të ardhshëm do të mund të ndjekin mësimin parashkollor në këtë çerdhe, shkruan gazeta KOHA.
“Investimi në çerdhe apo në sistemin parashkollor jep më shumë efekte. Në këtë çerdhe, që do të ndërtohet, do të ketë kapacitet për 80 fëmijë nga kjo Komunë, ku për këtë qëllim Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka ndarë 23 milion denarë. Presim që kah mesi i viti të ardhshëm, kjo çerdhe të fillojë me punë. Krahas kësaj, janë paraparë edhe bllok dotacionet për të punësuarit. Në bazë të gjitha çerdheve që ndërtohen dhe trajnimet që janë në vijim e sipër, ata duhet që të jenë inkluzive. Të gjithë fëmijët, pa dallim, gjatë zhvillimit të tyre duhet që të vizitojnë arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm në kuadër të mundësive të tyre. Po ashtu, edhe pagat e edukatoreve u rritën dhe janë barazuar me të arsimtarëve. Edhe ata kanë koeficientin e tyre në pagën e përgjithshme, të cilët e kemi rritur për 16 për qind dhe në tetor rroga do të jetë e paguar me plus 5 për qind që do të thotë rritje prej 21 për qind për të punësuarit në çerdhe”, tha Carovska.
Në ndërkohë, kryetari i Komunës, Enver Pajaziti tha se punët janë duke shkuar siç duhet, me dinamikë të përshpejtuar. “Krahas çerdhes, ne kërkuam që të punohet më shumë atë drejtim që të funksionojë edhe një zyrë për çështje sociale në këtë Komunë. Biseduam me ministren edhe punë të tjera që janë renovimet e shkollave në Bërvenicë dhe në Çellopek, për vendosjen e sistemit të nxehjes, që është një mungesë e madhe. Ne i përcollëm kërkesat tona edhe për zyrën për çështje sociale, kurse problemet me shkollat mendoj se do t`ia përcjellin Ministrisë së Arsimit”, tha kryetari Pajaziti.
Ministrja Carovska theksoi se komunat mund të aplikojnë për qendër ditore nëse e sheh të nevojshme dhe Ministria është e gatshme që të ndihmojë çdo Komunë që aplikon me projekt. Ajo theksoi se për çerdhen në Tetovë, për momentin është duke u bërë analiza e projektit. “Për çerdhen në Tetovë është aplikuar përmes fondeve IPA. Tetova dhe Tearca janë në fazën kur bëhen gati projektet, pas revizionit që i ka bërë delegacioni i Bashkimit Evropian. Pas mbylljes së vërejtjeve që ka dhënë delegacioni rreth projekteve, nuk ka asnjë problem që të investohet sepse paratë janë në dispozicion, pritet që punët teknike të përfundojnë dhe të fillojë ndërtimi”, tha ajo.
Sipas saj, pritet që në të ardhmen të hapen zyra për informim të qytetarëve nëpër qendrat sociale, që qytetarët të informohen më mirë lidhur me problemet e tyre.