Në cilin burg do të vuaj dënimin Gruevski? (Video)

Që nga e premtja, kur Gjykata e Apelit ia rikonfirmoi dënimin prej dy vjetësh ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ende nuk është e sigurt se në cilin burg ai do ta vuaj dënimin.
Sipas lartësisë së dënimit, Kodi Penal parasheh që për lëndën “Tanku”, ish kreu i VMRO DPMNE-së të mbetet prapa grilave në Burgun e Shutkës.

Marketing

Në rrjetet sociale disa të burgosur nuk kanë kursyer komentet, duke i uruar atij mirëseardhje.

Nëse ankesat e palës mbrojtëse thirren në kushtet e burgut dhe gjendjen shëndetësore të Gruevskit, ai mund të transferohet në “Idrizovë”, ose në burgun e Shtipit.

Burgosja e Gruevskit është çështje kohe, tha Pavle Bogoevski. Kryetari i Komisionit për çështje të mandateve dhe imuniteteve në Kuvend, tha se imuniteti i deputetit nuk do ta mbroj Gruevskin. Ai tha se imuniteti i mbron vetëm në rast të paraburgimit pa vendim të Kuvendit, por jo në rastet e veprave të rënda penale. Bogoevski tha se deputetit mund t’i merret mandati vetëm duke votuar 2/3 në Kuvend.

“Imuniteti i deputetëve nuk ka të bëj me mbrojtjen e tyre gjatë ndjekjes penale, madje nuk i mbron as nga vuajtja e dënimit me burg. Problemi i vetëm në këtë rast është fakti se dënimi me burg është më i ulët se 5 vjet, andaj Nikolla Gruevskit do t’i vazhdoj mandati përderisa ai mbahet në burg. Përkatësisht, përderisa është në burg, do të vazhdoj të merr pagë nga paratë e qytetarëve të R.M.”, tha Pavle Bogoevski, Kryetari i Komisionit për çështje të mandateve dhe imuniteteve.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski u shpall fajtor për presion të ushtruar ndaj zyrtarëve të Ministrisë së brendshme të Maqedonisë në blerjen e automjeti luksoz të blinduar “Mercedez S600 Guard”, në vlerë prej 600 mijë eurove. Si dëshmi për rastin e njohur të PPS-së “Tanku” janë marrë edhe bisedat e përgjuara, në të cilat flasin Gruevski dhe ish-ministrja Jankullovska. Kjo e fundit u dënua me 6 vjet burg nga Gjykata penale, kurse ish-ndihmës ministri, Gjoko Popovski, për të njëjtën akuzë është dënuar me gjashtë vjet e gjashtë muaj burg. Por, apeli atij u uli dënimin me dy vjet më pak.

“Kjo është përndjekje politike klasike. Do t’i shfrytëzoj të gjitha të drejtat juridike qe i kam në dispozicion. Këtu nuk ka nevojë për dëshmi, sepse ka shumë dëshmi për këtë rast. Sipas gjykatës, me fajësojnë se kam ndikuar të blihet veture në të cilën është dashur të vozitem edhe unë”, u shpreh Nikolla Gruevski, Ish-Kryeministër.

Ndryshe, Gjykata e Apelit në afat ligjor prej 14 ditësh pune, duhet të dorëzoj vendimin në shkallë të parë, përkatësisht Gjykatës për zbatimin e sanksioneve, e cila duhet të përgatis urdhër për vuajtje të dënimit, duke ia dorëzuar të dënuarit Gruevski. Njëkohësisht, avokatët e tij kanë mundësi ligjore që të dorëzojnë lutje për shtyrjen e zbatimit të vendimit për shkak të arsyeve shëndetësore. Sipas ekspertëve juridik, pala mbrojtëse ka mundësi që të ankohet në Gjykatën Supreme me kërkesë për shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit.

Marketing