Në ditëlindjen e 17-të merr 'dhuratën e jetës', Diar Libusha transferohet në basketbollin amerikan
Një tjetër talent i basketbollit kosovar po hedh një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke u transferuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të vazhduar shkollimin dhe zhvillimin sportiv.
Bëhet fjalë për Diar Libushën, i cili pikërisht sot, më 1 shtator, feston ditëlindjen e tij të 17-të, teksa njëkohësisht nis edhe një kapitull të ri në karrierë.
Talenti pejan, i cili ka gjatësi prej 2.05 metrash, do të vazhdojë shkollimin dhe zhvillimin e tij basketbollistik në Erie Preparatory Academy, në Pensilvani.
I lindur më 1 shtator 2009 në Pejë, Libusha pritet të kalojë të paktën dy vitet e ardhshme në sistemin amerikan të basketbollit, pas interesimit që kishte zgjuar te disa shkolla të mesme në SHBA.
Libusha është zhvilluar në radhët e Boreas nga Peja, ku gjatë sezonit të fundit ishte një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës U18. Ekipi pejan arriti deri në finale të kampionatit dhe u shpall nënkampion i Kosovës.
Paraqitjet e tij, të kombinuara me gjatësinë, mobilitetin dhe potencialin për zhvillim, bënë që emri i tij të tërheqë vëmendje edhe jashtë Kosovës.
Talenti pejan kishte marrë vëmendje edhe në skenën evropiane. Me Përfaqësuesen e Kosovës U16, paraqitjet e tij në Kampionatin Evropian – Division B bënë që sajti i njohur evropian i basketbollit, Eurohoops, ta veçonte në mesin e dhjetë prospekteve më interesante të turneut.
Ndërkohë, këtë verë Libusha bëri edhe një tjetër hap të rëndësishëm, duke qenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U18, pavarësisht se ishte dy vite më i ri se kufiri maksimal i moshës së kësaj grupmoshe.
Kosova U18 e mbylli kampionatin si kampione, duke siguruar edhe promovimin në Division B.
Para aventurës amerikane, Libusha kishte bërë hapin e radhës edhe në basketbollin vendor, duke nënshkruar me KB Pejën për sezonin e ri. Megjithatë, mundësia për të vazhduar shkollimin dhe zhvillimin në SHBA e bindi 17-vjeçarin që të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij.
Në Erie Preparatory Academy, Libushën e pret një ambient i ri, konkurrencë më fizike dhe atletike, por edhe mundësi të rëndësishme për zhvillim dhe ekspozim përpara trajnerëve dhe rekrutuesve universitarë.
Programi amerikan i ofron atij mundësinë të luajë në nivele lokale, rajonale dhe kombëtare, duke fituar përvojë të re dhe duke ndërtuar një profil edhe më të fortë në basketboll.
Në ditën kur feston 17-vjetorin, Diar Libusha merr një dhuratë të veçantë: nisjen e aventurës amerikane. Nga parketet e Pejës, te fanella e Kosovës dhe tash drejt Pensilvanisë, talenti kosovar do të kërkojë të vazhdojë zhvillimin e tij në një prej mjediseve më konkurruese për basketbollistët e rinj.
Për Libushën, ditëlindja e 17-të shënon kështu jo vetëm një vit më shumë në moshë, por edhe fillimin e një sfide të re dhe një kapitulli të rëndësishëm në rrugëtimin e tij sportiv. /Telegrafi/ / Aktuale.mk
