Në Gjykatën Penale vazhdon lënda “Target-Fortesa” e PSP-së

Në Gjykatën Penale Shkup, sot do të vazhdojë seanca gjyqësore për lëndën e PSP-së “Target-Fortesa”.

Marketing

Në këtë lëndë të akuzuar janë ish kryeshefi i Drejtorisë së pestë në MPB Goran Grujevski dhe i punësuari në DSK Nikolla Boshkoski, të cilët janë në arrati në Greqi, ish ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe ish drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov, si dhe ish shefi i kabinetit të tij, Toni Jakimovski.

Këshilli gjyqësor më 19 qershori vendosi ta ndajë procedurën për të akuzuarit Grujevski dhe Boshkovski, ndërsa të vazhdojë kundër të akuzuarve të tjerë në këtë rast. Paraprakisht Këshilli gjyqësor e ndau edhe procedurën për ish ministren Gordana Jankullovska.

Prokurorja speciale publike Katica Janeva para dy ditësh në prezantimin e raportit të parë kalimtar të OSBE-së tha se PSP ka shumë dëshmi se personat të cilët janë akuzuar në rastin “Target-Fortesa” kanë përgjuar dhe ajo do të dëshmohet para Gjykatës.

“Target-Fortesa” është lëndë për të cilën personat zyrtarë të DSK-së e kanë shkatërruar pajisjen që të mos mund të konfirmohet se në ato pajisje është përgjuar. Kemi ekspertizë forenzike në të cilën konfirmohet se kush dhe në cilën mënyrë ka përgjuar. Kemi dëshmi për lëndën që ende nuk ka filluar para gjykatës, ndërsa duhet të fillojë dhe shpresoj se të gjithë do të jemi të pranishëm të konfirmojmë se kush ka përgjuar. PSP ka shumë dëshmi për atë se kush ka përgjuar dhe nuk mundet këtë lëndë ta dorëzojë në Prokurorinë Themelore Publike”, theksoi Janeva.

Hetimi për lëndën “Fortesa” ishte hapur më 29 mars të vitit 2016, ndërsa për lëndën “Target” më 17 nëntor të vitit 2016, ndërsa për shkak të lidhshmërisë së tyre janë bashkuar në një lëndë. Akuza është ngritur më 30 qershor të vitit 2017.

Sipas aktpadisë, përmes tre sistemeve për ndjekje të komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë joligjore ishin përgjuar 4.286 numra telefonikë për të cilat aspak nuk është dhënë urdhër gjyqësor. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.

Marketing