Ballina Aktuale Në Kosovë edhe me letërnjoftime me emrin e vjetër të shtetit, por...

Në Kosovë edhe me letërnjoftime me emrin e vjetër të shtetit, por JO dhe me pasaportë

Vendkalimi kufitar në Bllacë kurrë s’ka qenë me frekuentim kaq të ulët të udhëtarëve, sidomos në dalje. Kjo ndodh ngaqë jo të gjithë qytetarët kanë ndërruar dokumentet e udhëtimit me emrin e ri të shtetit. Por, Republika Kosovës shtetasit tanë i pranon me letërnjoftime dhe patentë shoferi me emrin e vjetër të shtetit, përkatësisht pa “Veriun”. Ndërsa tentimi i një qytetari për të udhëtuar me pasaportë ishte i pasuksesshëm.

Marketing

“Është problemi që nuk kam mundur ta vazhdoj pasaportën! A mundem këtu përpara të kthehem? A e ke akoma me emrin e vjetër? Po!”, tha një qytetar,

“Mentaliteti ynë i ka fajet, gabim ka bërë shteti që e ka shtyrë afatin, është dashur të gjobisë që të ju vijnë mendtë njëherë e mirë. Të gjithë presin ditën e fundit!”, u shpreh një tjetër qytetar.

Revolta më e madhe vërehet në terminalin doganor të kësaj pike kufitare. Shoferët po hasin në telashe ngaqë me dokumentet me emrin e vjetër të shtetit nuk mund të tranzitojnë në vendet tjera. Ata thonë se në shtetet e Evropës nga sot nuk mund të udhëtojnë pa dokumentet e reja të udhëtimit dhe kjo zvarritje do të shkaktoj mungesë të mallit që vjen nga jashtë shtetit për tregun e brendshëm.

“Në terminalin doganor të Bllacës shoferët e kamionëve, të cilët transportojnë mall për import dhe eksport, janë të revoltuar për shkak se nuk kanë arritur të gjithë në kohë të bëjnë zëvendësimin e dokumenteve me emrin e ri të shtetit dhe si pasojë rrezikojnë që mos të kryejnë punët e tyre dhe të bartin mallin, i cili është i nevojshëm për tregun e vendit”, raporton Adnan Qaili, gazetar.

“Si të shkoj në atë turmë, duhet të ketë çdokund pika për dhënie të dokumenteve sa më shpejtë ti kryejnë këto punë e jo të presim gjatë, shteti është dashur të përgatitet e jo të na lërë kështu. Pasaportën e kam ndërruar se e pata mbushur me vula por as patentën e as letërnjoftimi nuk e kam ndërruar akoma”, tha një vozitës.

“Patentë shoferi rreth 1 mijë denarë dhe pasaporta rreth 4,700 denarë. Nuk është në rregull se shumica e kolegëve nuk i kanë ndërruar dhe u bë problem i madh”, u shpreh një tjetër vozitës.

Nga Shoqatat e Transportuesve thonë se problemet vetëm janë ndjerë në vendkalimet kufitare me Greqinë, Bullgarinë dhe Turqinë, shtete prej të cilave importohen një pjesë e konsiderueshme e lëndëve të para por edhe të prodhimeve të gatshme për treg. Nga Asociacioni “Makam-Trans” thonë se ekonomia e vendit rrezikon të mbetet pa mallrat e importuara nëse nuk janë të ndërruara të gjitha dokumentet e udhëtimit, patentat e shoferëve, lejet e qarkullimit të automjeteve dhe ngjitësit e targave me emrin e ri. /Alsat.mk

Exit mobile version