Kopsht për fëmijë me kapacitet prej 102 fëmijëve nga zero deri në gjashtë vjeç do të ndërtohet në Mateç në komunën e Likovës. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ndau 50 milion denarë për ndërtimin dhe pajisjen e institucionit. Marrëveshja e grantit për alokimin e mjeteve u nënshkrua sot nga Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jagoda Shahpaska dhe kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
“Si Ministri, ne jemi të përkushtuar ndaj agjendës sonë, e cila është pjesë e programit qeveritar, për të ndërtuar kopshte të reja dhe për të zgjeruar objektet ekzistuese të kopshteve”, tha ministrja Shahpaska, duke shtuar se përveç investimeve në objektet hapësinore, MPPS-ja vazhdon të investojë në përmirësimin e programit mësimor dhe kompetencave profesionale të punonjësve në kopshte.
Kryetari i komunës Erkan Arifi informoi se në territorin e komunës së Likovës jetojnë rreth 2.200 fëmijë deri në gjashtë vjeç dhe se ndërtimi i këtij kopshti në Mateç është veprim i vërtetë për kujdesin e tyre.
Granti është pjesë e komponentit të 2-të të Projektit të përmirësimit të shërbimeve sociale të zbatuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me mbështetjen e Bankës Botërore. Me mjete përmes këtij projekti, kopshtet e fëmijëve në Resnjë dhe Bogovinë janë rindërtuar deri më tani, dhe po ndërtohet ose rindërtohet edhe tetë kopshte të tjera – në Kavadar, Negotinë, Koçan, Strumicë, Probishtip, Kriva Pallankë dhe në komunat e Shkupit të Kisella Vodës dhe Gjorçe Petrovit, në të cilët do të kujdeset për 1.349 fëmijë të tjerë.
Likova është ndër 17 komunat që aplikuan dhe plotësuan kërkesat e thirrjes së parë publike për grante për ndërtimin e kopshteve dhe qendrave për zhvillimin e fëmijërisë së hershme. MPPS njoftoi se një thirrje e re publike për grante për zgjerimin e kopshteve ekzistuese dhe ndërtimin e kopshteve të reja në të gjithë vendin do të shpallet së shpejti.