Në Shkup u shënua 13 vjetori i marrëdhënieve diplomatike RMV – Kosovë

Ambasadori i Kosovës në Shkup, Florian Qehaja ka njoftuar sot se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë duke shqyrtuar mundësinë për kalime të përbashkëta kufitare. Qehaja tha se do të ndihmojnë intensivisht kjo gjë të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur. Gjatë një aktiviteti për shënimin e përvjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ai po ashtu tha se presin që ndërlidhja mes dy shteteve, sidomos ajo infrastruktore të avancohet më shumë, duke vënë theksin tek autostrada Shkup – Bllacë, për të cilën Kosova ka pritshmëri që të përmbyllet sa më shpejtë.

Marketing

“Kemi një rritje të madhe të investimeve që vijnë nga Kosova këtu, sidomos në rajonin e Shkupit dhe mendojmë se ka shumë hapësirë që të lehtësojmë këto investime që vijnë dhe investimet që vijnë nga Maqedonia e Veriut në Kosovë. Presim që të përmbyllet sa më shpejtë pjesa e mbetur e autostradës Bllacë – Shkup dhe posaçërisht mendojmë se në muajt e ardhshëm ka hapësirë që të arrijmë një marrëveshje për kalimin e përbashkët kufitar One stop shop në Bllacë dhe në pikat tjera” – deklaroi Florian Qehaja, Ambasador i Kosovës.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, theksoi se vendi mbështet fuqishëm Kosovën, rreth njohjes ndërkombëtare, liberalizimit të vizave si dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

“Bëmë thirrje para disa ditëve deri te Bashkimi Evropian që menjëherë pa asnjë vonesë të merret vendimi për liberalizimin e vizave. Republika e Maqedonisë së Veriut po bën një mbështetje proaktive edhe në Këshill të Evropës për pranim të Kosovës në Këshill të Evropës por edhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare, për shkak se mendojmë se kjo është rruga e vetme për të stabilizuar rajonin që ky rajon të vazhdon bashkërisht drejt integrimeve në NATO dhe në Bashkimin Evropian” – tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm

Me rastin e 13 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ministri Jashtëm Bujar Osmani dhe Ambasadori i Kosovës, Florian Qehaja, në parkun e Çairit mbollën 13 fidane. Dy diplomatët theksuan se, raportet mes dy shteteve, por edhe mes qytetarëve janë jashtëzakonisht të ngushta.