Ballina Lajme Maqedoni Në Universitetin e Tetovës u mbajt Seminari XVIII Ndërkombëtar i Albanologjisë

Në Universitetin e Tetovës u mbajt Seminari XVIII Ndërkombëtar i Albanologjisë

Në Universitetin e Tetovës sot u mbajt Seminari XVIII Ndërkombëtar i Albanologjisë me temë: ‘Kontributi i Rexhep Qosjes për letërsinë dhe kulturën shqiptare’. Në ceremoninë solemne me fjalë përshëndetëse studiuesve shkencorë dhe pjesëmarrësve të tjerë iu drejtua Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Sipas tij, kjo veprimtari shkencore që organizohet nga Universiteti i Tetovës me kontributin e drejtorisë dhe të qindra hulumtuesve shkencorë e studiuesve të njohur, e ka ndërtuar identitetin kulturor, duke u bërë pjesë e pandarë e zhvillimeve albanologjike bashkë me Tiranën dhe Prishtinën. “Këtë vit, në edicionin e tetëmbëdhjetë me radhë, Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë shënon edhe një të arritur tjetër me rëndësi
në lëmin e studimeve, sepse programi i tij i dedikohet kryesisht figurës poliedrike të akademikut Rexhep Qosja. Profesor Qosja përpos kontributit të çmuar për letërsinë dhe kulturën shqiptare njihet gjerësisht edhe për rolin e tij për çështjet e filozofisë, ideologjisë dhe politikës kombëtare shqiptare. Hulumtuesit shkencorë që janë marrë me veprën e profesor Qosjes, ndajnë mendimin se ai e shtjellon në tërësi krijimtarinë unike dhe
veprimtarinë intensive në shërbim të kombit tonë dhe na e jep modelin se si duhet punuar për çështjen kombëtare. Me artikulimin e qëndrimeve, figura e Rexhep Qosjes i kalon kufijtë e kulturës sonë dhe ajo që e bën madhështor është fakti se ai nuk është i dashuruar thjesht vetëm e vetëm pas kombit të vet e bashkëkombësve të tij.” – tha Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Fillimin e punimeve të këtij Seminari përmes një letre e përshëndeti edhe Akademik Rexhep Qosja, në të cilën mes tjerash thuhej: ‘Shpreh falënderimin tim të thellë që e keni parë të arsyeshme e të dëshirueshme që kjo veprimtari e sivjetme e Seminarit të ketë temë bosht të saj kontributin tim për letërsinë dhe kulturën shqiptare, që e keni parë të arsyeshme e të kuptimshme të bashkoni kaq shumë studiues të të gjithë gjithë
hapësirës gjeografike shqiptare, të të gjithë hapësirës shpirtërore e kulturore shqiptare, të bashkoni studiues me emër, studiues të zellshëm, studiues të rinj dhe të tillë që sapo kanë filluar rrugëtimin e tyre shkencor e që janë ardhmëria jonë, disa nga ata mund të kenë qenë edhe studentë të mi në Prishtinë e në vitet 2000 edhe në Tetovë, në Tetovën tuaj e tonën, në Tetovën tuaj dritëkërkuese, kur kam pasur fatin të jem mes tyre e të
përjetoj mikpritjen e pashoqe, dashurinë e përkushtimin mbresëlënës për dijen e për ecjen përpara. Me përzemërsi e respekt të veçantë falënderoj kumtuesit, për punën dhe mundin e tyre’.
Në lidhje me organizimin dhe temat e sesioneve që i trajtoi Seminari, foli drejtoresha e Seminarit Prof. Dr. Emine Shabani e cila po ashtu e prezantoi edhe kumtesën e saj me temë: “Kontributi i Rexhep Qosjes për kulturën, letërsinë dhe kritikën letrare”.
Kumtesat e tyre në ceremoninë solemne i paraqitën edhe Prof. Dr. Agim Vinca me temë: “Rexhep Qosja dhe Kultura Shqiptare”, Prof. Dr. Shefkije Islamaj prezantoi kumtesën e saj me temë: “Kuptimi, simbolika dhe estetika e elementeve paratekstore në romanet e Rexhep Qosjes ndërsa Prof. Dr. Begzad Baliu paraqiti kumtesën: “Potreti i Adem Demaçit në veprën shkencore dhe publicistike të Rexhep Qosjes”.
Ndërkaq pjesëmarrësit tjerë nga vendi, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, Lugina e Preshevës dhe diaspora, hulumtimet e tyre shkencore i prezantuan në kuadër të sesioneve përkatëse të programit të Seminarit të këtij viti.

Marketing
Marketing
Exit mobile version