Në UT u mbajt koncert festiv për Ditën e Falënderimeve

Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës, më 23 nëntor 2023, organizoi koncert festiv për festën e veçantë të popullit amerikan, Ditën e Falënderimeve. Këtë aktivitet kulturor- artistik e ndoqën edhe drejtuesit e Universitetit të Tetovës, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, prorektorë, dekanë, pedagogë dhe studentë nga njësitë akademike të UT-së. Po ashtu, në këtë koncert mori pjesë edhe Gazmend Ilazi, përgjegjës i programeve arsimore ndërkombëtare në Ambasadën e SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq, mysafir special i këtij koncerti ishte profesori i programit Fulbright, artisti i njohur David Bullman.
Në fjalën e tij të rastit, Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë eveniment kushtuar miqve amerikanë. Ai deklaroi se Dita e Falënderimeve është një ngjarje e veçantë kur familja dhe miqtë mblidhen për të ndarë një vakt dhe për të festuar me njëri-tjetrin ndërkaq sot, sikurse theksoi ai, jemi mbledhur si miq dhe familjarë për t’u njohur me këtë traditë të cilën e kemi begatuar edhe me koncertin festiv.
Në këtë veprimtari kulturore, studentët dhe profesorët e programit studimor të Artit Muzikor dhe artistët e njohur si: Shkëlzen Baftjari, David Bullman, Melisa Loki, Diellon Mustafa, Lulesa Pajaziti, Doriana Selmani, Zule Saiti dhe Abdullah Xhaferi, realizuan një performancë të shkëlqyer artistike duke i realizuar me mjeshtri pikat e programit muzikor.

Marketing
Marketing