Në UT u prezantua projekti InnoTechClub

Në Universitetin e Tetovës, sot u bë promovimi i projektit InnoTech Club nga portali Inovativnost.mk. Projekti në fjalë financohet nga Ambasada amerikane nëpërmjet Alumni Engagement Innovation Fund dhe ka për qëllim të promovojë shkencën dhe teknologjinë si një faktor shumë i rëndësishëm i shoqërisë dhe si fushë ku në të ardhmen të rinjtë duhet të tregojnë më tepër interes.
Themeluesja e portalit Inovativnost.mk,Verica Jordanova, gjatë prezantimit të projektit u shpreh se, studentët, nxënësit, profesorët, si dhe kompanitë do të kenë mundësi që të regjistrohen në bazën e projektit tonë, nga ku do të mund të marrin më shumë informacione për sa u përket fondeve apo programeve të ndryshme të cilat ju dedikohen të rinjve në inkurajimin e ideve të reja inovative. “Sot jemi para studentëve të Universitetit të Tetovës për të promovuar InnoTechClub. Konsiderojmë që nëpërmjet këtij projekti, i cili do të bazohet në ngjarje të cilat quhen InnoCafe, do të spikatim shembuj nga të rinjtë novatorë, ose kompanitë e reja të cilat punojnë në këtë fusha, si shembuj të cilët do të duhet të ndiqen edhe në të ardhmen“, tha Verica Jordanova.
Ky projekt do të vazhdojë prezantimin gjatë pesë muajve në vazhdim në qytetin e Shkupit, Shtipit, Tetovës, si dhe të Manastirit, me qëllim që të informohen sa më shumë njerëz.

Marketing
Marketing