Nesër skadon afati për kontrollimin e të dhënave në listën zgjedhore

14 marsi është dita e fundit për kontrollin publik të listës zgjedhore nga qytetarët të cilët kanë pasur mundësi të kontrollojnë nëse të dhënat e tyre reale korrespondojnë me të dhënat në listën zgjedhore në mënyrë që në kohë të bëhet plotësimi apo ndryshimi i këtyre të dhënave.

Marketing

Shifra e fundit zyrtare e personave që kanë kryer tashmë kontrollin e këtyre të dhënave është ajo e dy ditëve më parë, që tregon se kontroll kanë bërë 50 mijë e 500 e 72 qytetarë.

Skadon njëkohësisht edhe afati për paraqitjen e votuesve të diasporës në përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat e Maqedonisë së Veriut në botë.

Deri më 11 mars në KShZ kanë arritur të dhënat nga 920 fletëparaqitje prej të cilave janë miratuar 913.

Po ashtu ka filluar edhe parashtrimi i kërkesave deri në KShZ, për marrje të autorizimit për mbikëqyrje të procesit zgjedhor.

Nga OSBE-ODIHR kanë paralajmëruar se procesin zgjedhor do ta monitorojnë me 279 vëzhgues.

Priten edhe të dhënat nga vëzhguesit vendorë dhe organizatat e tjera që do të shprehin dëshirën për monitorimin e presidencialeve të 21 prillit.

Ajo që dihet zyrtarisht është se në garë janë tre kandidatë, Gordana Silianovska që mbështetet nga VMRO-DPMNE, Stevo Pendarovski që mbështetet nga të gjitha partitë në pushtet dhe kandidati i pavarur, Blerim Reka, që ka mbështetjen e opozitës shqiptare.

Kandidatët për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të konfirmohen nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor më 21 mars dhe deri atëherë të gjitha aktivitetet do të llogariten si takime politike dhe jo si fillim zyrtar i fushatës parazgjedhore, që zyrtarisht fillon më 1 prill.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale është më 5 maj.

Marketing