Nesër votohet në Tetovë, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë

Në zgjedhjet lokale të së shtunës për Kryebashkiak në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë dhe për këshilltarë në Komunën e Tetovës të drejtë vote kanë 101.174 votues.

Marketing

Në Tetovë, sic njofton KlanM, në listën zgjedhore janë të shënuar 84.072 votues, kurse në Mavrovë-Rostushë 7.154 dhe në Qendër Zhupa 9.946 votues.

Në tri Komunat do të votohet në 112 vendvotime. Në Mavrovë-Rostushë në 39, Qendër Zhupa 16 kurse në Tetovë në 117 vendvotime.

Në Tetovë, 10 muaj nga zgjedhjet e fundit Lokale, sërish do të votohet. Kësaj radhe, sic percjell KlanM, vetëm për anëtarë të Këshillit Komunal. Zgjedhjet mbahen pasi Këshilli nuk arriti që me kohë ta miratojë llogarinë përfundimtare të Komunës dhe sic parasheh ligji për Vetadministratë Lokale, këshilli është shpërndarë dhe janë shpallur zgjedhje të reja.

Në betejën për 31 vende këshilltarësh marrin pjesë 11 parti dhe dy lista qytetare. Mandatet do të ndahen sipas numrit të votave të fituara duke shfrytëzuar formulën e D`Hontit.

Në Komunat Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë, sic njofton KlanM, do të jetë tentativa e tretë për t`u zgjedhur Kryetarët E Komunave, pasi në zgjedhjet lokale vitin e kaluar dhe përsëritjen e zgjedhjeve nuk kishte dalje të mjaftueshme të votuesve dhe Kryetarët aktual funksionojnë si të emëruar nga Qeveria.

Që zgjedhjet të jenë të suksesshme duhet që në votime të dalin së paku një e treta e votuesve të regjistruar kurse shumica të votojë për njërin nga kandidatët.

Në Qendër Zhupë, në këto zgjedhje, ka vetëm një kandidat për Kryetar Komunë, kurse në Mavrovë-Rostushë janë dy kandidatë.

Zgjedhjet, sic njofton KlanM, do të ndiqen nga 49 vëzhgues të akredituar, kurse votuesit do të shfrytëzojnë pajisjet për identifikim biometrike dhe nuk do të zbatohen masat për mbrojtje nga COVID-19, sikurse periudhën e kaluar.

Ministria për Punë dhe Politikë Sociale ka njoftuar se konform vendimit të Qeverisë, 20 Gushti është shpallur si ditë jo pune për qytetarët e Komunave ku do të votohet.