Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka thënë në takimin javor të kabinetit në Jerusalem të dielën se “lufta e Izraelit kundër terrorizmit do të vazhdojë gjatë gjithë kohës”, raporton agjencia “AP”.
Ai u ka ofruar ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave të sulmit me thikë të së dielës në periferi të Tel Avivit. Sulmi pretendohet se u krye nga një palestinez, ndërsa dy persona mbetën të vrarë.
Netanyahu ka paralajmëruar Iranin se Izraeli është “i përgatitur për çdo skenar – si në mbrojtje ashtu edhe sulm”.
Tensionet janë rritur pas afro 10 muajve luftë në Gaza dhe vrasjes së shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në një sulm në Iran të mërkurën dhe vrasjes së komandantit të Hezbollahut, Fuad Shukur në sulmin në Bejrut.
Irani dhe aleatët e tij kanë kërcënuar Izraelin me hakmarrje dhe janë rritur shqetësimet për një luftë më të gjerë rajonale. Duke folur për negociatat për lirimin e pengjeve, Netanyahu ka thënë “se deri në këtë moment, Hamasi nuk është pajtuar as me kushtet më bazike të planit”.
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka qenë në mesin e zërave në rritje ditëve të fundit për një armëpushim, duke thënë se është mënyra e vetme për t’i dhënë fund ciklit të dhunës dhe vuajtjeve.
Protestuesit izraelitë kanë dalë nëpër rrugë dhe kanë bllokuar autostradat në Tel Aviv dhe lokacione tjera, duke kërkuar që Netanyahu të arrijë menjëherë marrëveshje armëpushimi për t’i sjellë pengjet e mbajtura nga Hamasi e po ashtu kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit izraelit.