Nga 1 janari, shtetësia dhe kërkesa për pasaportë dhe letërnjoftim në mënyrë elektronike

Nga 1 janari, certifikata e shtetësisë do të mund të lëshohet në formë elektronike nëpërmjet Portalit Kombëtar për shërbimet elektronike ose nëpërmjet dërgimit të kualifikuar elektronik të regjistruar në një adresë elektronike.

Marketing

Kërkesa për lëshimin e letërnjoftimit dhe pasaportës, qytetarët do të mund të dorëzojnë në mënyrë elektronike.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në profilin e tij në Fejsbuk ka njoftuar se janë miratuar ndryshimet ligjore për dixhitalizimin e plotë të proceseve me qëllim të përmirësimit të përvojës së qytetarëve në nxjerrjen e dokumenteve personale.

“Për të përmirësuar përvojën e qytetarëve në nxjerrjen e dokumenteve personale dhe zbatimin e dixhitalizimit të plotë të proceseve, kjo udhëheqje e MPB-së iu afrua harmonizimit të rregullimit ligjor me legjislacionin evropian, duke propozuar ndryshime ligjore që u miratuan nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në mars të këtij viti, dhe hyjnë në fuqi më 1 janar të vitit 2023”, thekson Spasovski.

Paraqitja e kërkesës për lëshimin e letërnjoftimit dhe pasaportës bëhet në përputhje me ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Letërnjoftim, Ligjin për Dokumentet e Udhëtimit, Ligjin për Emrat Personal dhe Ligjin për Regjistrimin e Vendbanimit dhe Vendqëndrimit.

“Në procedurat e përcaktuara me ligj, si marrja e dëshmisë së njoftimit në Gazetën Zyrtare për një letërnjoftim të humbur, ajo merret nga Ministria e Punëve të Brendshme sipas detyrës zyrtare përmes Platformës Kombëtare të Ndërveprueshmërisë. MPB mund të japë vendim për heqjen e numrit amë të shtetasit apo të huajit si dokument elektronik”, sqaron Spasovski në statusin e tij në Fejsbuk.

Me qëllim të harmonizimit me dixhitalizimin e proceseve lidhur me procedurat e përcaktuara me ligj, siç thekson Spasovski, janë formuar grupe punuese që punojnë në rishikimin e akteve ligjore dhe nënligjore në kompetencë të MPB-së, përkatësisht Ligji për sigurinë në komunikacionin rrugor, Ligji për armët, Ligji për veprimtarinë e detektivëve, Ligji për të huajt, Ligji për policinë, Ligji për mbrojtjen ndërkombëtare dhe të përkohshme, Ligji për mbrojtjen nga substancat shpërthyese, Ligji për monitorimin e komunikimeve, Ligji për trafikimin e lëndëve shpërthyese dhe Ligji për sigurinë private.